HEC-et, një investim në rrezik

06/12/2014 00:00

Një hidrocentral me kapacitet 15 megavat, ndërtuar nga investitorë privat në partneritet me shtetin, ndodhet në qarkun e Kukësit. Bëhet fjalë për një investim rreth 15 milionë euro të financuar nga bankat e nivelit të dytë dhe fondi privat i investitorit. Me çmimin e ri të energjisë të propozuar nga qeveria shqiptare, sipas prodhuesve, ky investim del jorentabël.

Zërat e Investimit:
Studime, leje, liçenca                                         250 mijë Euro
Pajisje elektro-mekanike                                    3 mln Euro
Punime civile për ndërtimin e veprave hidrike   11 mln Euro
Interesa të kapitalizuara                                     800 mijë Euro  

Hidrocentrali punëson 30 punonjës, 20 prej të cilëve operatorë të mirëmbajtjes, ndërsa pjesa tjetër punonjës sigurie. Ata janë më së shumti banorë të zonës dhe nga kjo punë sigurojnë të ardhurat kryesore për familjet e tyre.

Pesë vite më parë, ky prodhues ngriti investimin e tij bazuar në një plan biznesi që parashikonte se paratë e hedhura do t’i ktheheshin pas 10 vitesh, sipas një vendimi të qeverisë, ku çmimi me të cilin KESH do t’ua blinte do të ishte 9.2 lekë/këh.

Por ky investim është në një situatë të pakëndshme financiare që erdhi e paparashikuar. Qeveria vendosi të ulë me 30% këtë çmim, duke e zbritur atë nga 9.2 në 6.4 lekë dhe duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj sipërmarrjeje.

“Shteti po cënon këtë formulë duke ulur çmimin e energjisë më poshtë se ai i importit. Cënohet kështu në mënyrë të pariparueshme siguria e sektorit dhe fati i biznesit do të jetë në duart e sekserëve anonimë, të cilët do t’i blejnë me çmime qesharake duke ia shitur shtetit me çmime më të larta e duke realizuar fitime momentale për disa individë të caktuar”, deklaron Bilbil Zeneli nga Komuniteti i Prodhuesve të HEC-eve.

Kostoja e prodhimit të një megaëat në këtë hidrocentral është 37 euro. Peshën kryesore e zënë shpenzimet për shlyerjen e kredisë dhe më pas renditen shpenzimet për mirëmbajtjen, detyrimet fiskale dhe pagat.

Por çmimi i ri i zbritur nga qeveria tani është 45 euro për megaëat/orë dhe për këtë shkak shlyerja e kohës së invesitmit dyfishohet nga 10 në 20 vite dhe vetëm një e treta e kohës së marrjes me konçesion mund të krijojë të ardhura për sipërmarrësin.

Një nga argumentat që dha qeveria kur vendosi të ulë çmimin me të cilin KESH do të blejë nga këto HEC-e konçesionare lidhej me barrën e lartë që sipas saj këto HEC-e konçesionare do të shkarkonin në buxhetin e kompanisë publike. Por pesha e këtij prodhimi është e ulët.

“Vlera e sektorit është 11% dhe nuk mund të ndikojë në barrën e konsumatorit. Vendi ynë është një importues neto i energjisë dhe do të vazhdojë të mbetet. Ajo që kërkojmë është që ky çmim të mos mbetet më i ulët se importi”, nënvizon Zeneli.

Nga ana tjetër, konçesionarët po përballen edhe me detyrimet e papaguara nga KESH, të cilat vlerësohen në 60 milionë euro. Kjo situatë ekonomike financiare është e ngjashme për 100 HEC-et e ndërtuara me konçesion gjatë viteve të fundit. Ndërkohë që rreth 300 investime të tjera tani kanë mbetur pezull edhe për shkak të frikës së shkaktuar nga vendimi për uljen e çmimit.

Pavarësisht argumentave, situata tani ka arritur në një pikë krititke ku askush nuk tërhiqet dhe një investim në këtë zonë dhe shumë familje që marrin të ardhura prej saj mund të jenë në rrezik. “Do të mbrojmë të drejtat tona në të gjitha rrugët ligjore”, paralajmëron Zeneli.

Top Channel