Egjiptiani i arrestuar, i dënuar në Kajro për trazirat e 2013-s

06/12/2014 00:00

Elsayed Aly Ahmed Elezaby është njëri nga të akuzuarit si i përfshirë në ngjarjet e përgjakshme dhe protestat masive të gushtit 2013, që në atë kohë zhytën Egjiptin në kaos.

Një javë pas arrestimit teksa ishte duke hyrë në Shqipëri, ai ka kërkuar azil politik me pretendimin se në vendlindje i rrezikohet jeta. Ky veprim i tij vjen pas një vendimi që mori Gjykata e Korçës e cila vendosi ndaj 58-vjeçarit masën e sigurisë “arrest me burg”.

Elezaby do të qëndrojë në paraburgtim për 40 ditë, deri sa autoritetet e drejtësisë egjiptiane të sjellin materialin e plotë për ta bindur drejtësinë shqiptare se ai duhet të ekstradohet në vendlindje, ndërkohë që pritet gjithashtu të shqyrtohet edhe kërkesa e tij për azil, nëse i plotëson apo jo kushtet.

Elsayed Ali Ahmet Elezaby, lindur në Port Said, u arrestua duke hyrë në Shqipëri, pasi gjatë kontrollit në pikën kufitare rezultoi së INTERPOL Kajro e kishte vendosur atë në listen e të shumëkërkuarve.

Emri i tij së bashku me dhjetëra emra të tjerë egjiptianësh, sipas Prokurorisë së Korçës, është në listën e zezë në bazë të një vendimi që i përket datës 1 shkurt 2014, ku ai është dënuar me 25 vjet burgim për akte terroriste.

Elezaby konsiderohet nga drejtësia egjiptiane si një ndër njerëzit që përgjatë datave 16-25 gusht 2013, të cilat janë edhe ditët kur në Egjipt u shpall gjendja e jashtëzakonshme, u përfshi në krime të ndryshme gjatë protestave në sheshin Ramses.

Për drejtësinë egjiptiane, Elezaby ka vrarë me paramendim, ka përdorur dhe demonstruar forcë, ka kërcënuar për ushtrim dhune, ka shkatërruar pronën publike, është anëtarësuar në bandë kriminale, si dhe ka zotëruar e blerë në mënyrë të paligjshme armë zjarri.

Gjatë kësaj periudhe për të cilën ai akuzohet se ka kryer veprime të paligjshme, pra nga datat 16 deri më 25 gusht, në Egjipt humbën jetën mbi 1 mijë vetë nga përplasjet e ashpra mes mbështetësve të presidentit të përmbysur Mohamed Mursi, të njohur si Vllazëria Myslimane dhe forcave të sigurisë.

Top Channel