Shtyhet takimi PE-Shqipëri, do mbahet pranverën e 2015-s

06/12/2014 00:00

I parashikuar për t’u mbajtur në mes të dhjetorit në Strasburg, Komiteti i 8 i Stabilizim Asocimit PE-Shqipëri do të mbahet gjatë pranverës 2015, në një datë tjetër ende të pacaktuar.

Mësohet se Konferenca e Presidentëve në Parlamentin Europian hodhi poshtë kërkesën e palës shqiptare që mbledhja të zhvillohej më 15 dhe 16 dhjetor.

Burime konfidenciale pranë Sekretariatit të Delegacionit rrëfyen për TCH se, “është e pazakontë që këto takime të mbahen në fillim të javës, ndaj nevojitej autorizimi i Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare”.

Ata i referohen gjatë argumentimit rregullores së legjislativit europian se, “për takimet që mbahen njëkohësisht me sesionin plenar, delegacionet mblidhen në Strasburg të mërkurave pasdite, nga ora 15.00 deri në orën 19.00, dhe të enjteve paradite, nga ora 9.00 derisa të nisë procesi i votimit në seancë. Për këtë arsye, Delegacioni me Shqipërinë ftohet të mbahet në datat konform rregullores”.

Të njëjtat burime shpjegojnë se në 17 dhe 18 dhjetor, pala shqiptare kishte njoftuar se nuk mund të ishte e pranishme në Strasburg për shkak të “votimeve të rëndësishme” të seancës së fundit plenare të Kuvendit.

Kjo është hera e tretë që Tirana shtyn takimet ndërparlamentare. Rekordi u arrit për Komitetin e 6 ndërparlamentar të tetorit 2013, i mbajtur me një vit vonesë, megjithëse MSA (në fuqi prej 2009) detyron për dy mbledhje të tilla vjetore për të shqyrtuar zhvillimet politike, ekonomiko-sociale, dhe nivelin e përshtatjes së praktikës europiane.

Në fokus të takimit përgatitor për Komitetin e 8 PE-Shqiperi ishte bojkoti parlamentar dhe seanca e 18 dhjetorit në Kuvend merr rëndësi edhe për shkak të shqetësimit të ngritur për humbjen e mandateve të deputetëve joaktivë të opozitës.

Në mungesë të mbajtjes së takimit ndërparlamentar të dhjetorit, por dhe të kontakteve të pamjaftueshme ndërmjet partive politike dhe të zgjedhurve të rinj të PE-së që merren me Shqipërinë, eurodeputetët pritet të shfrytëzojnë vizitën e parashikuar të kryeministrit Edi Rama në Bruksel për të biseduar me të mbi kërkesat e opozitës dhe për një zgjidhje të mundshme ndaj bojkotit të tyre parlamentar.

Mëngjesin e së martës, shefi i qeverisë shqiptare është ftuar nga Miqtë e Europës për aktivitetin vjetor që organizohet mbi Ballkanin dhe axhenda e tij parashikon takime me raportues dhe drejtues të PPE-së dhe të PE-së. Ai pritet të mbërrijë të hënën pasdite, më 8 dhjetor, në ditën e grevës kombëtare që paralizon transportin ajror dhe hekurudhor në Belgjikë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel