PD: Skandal me tokën në Xarrë

06/12/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi atë që e cilëson si skandal në fshatin Xarrë të Sarandës, i njohur si një nga kooperativat më të suksesshme pas bashkimit të fermerëve dhe rendimenteve në prodhim.

Koordinatori i opozitës, Ervin Salianji tha se banorët e fshatit janë përjashtuar nga një ankand për marrjen e një toke me qira, pasi atë kërkojnë t’ia japin një firme që është pjesë e oligarkisë Rama-Kokëdhima.

“Fermerët e kësaj zone kanë bërë një ofertë për të përfituar këtë tokë, pronë e fshatit prej 64 hektarë, me 50 mijë lekë të reja për hektar. Por ndërkohë, shoqata që e ka fituar ka bërë ofertë 25 mijë lekë të reja për hektar. Nuk shpallet fituese shoqata e fermerëve, por tjetra që ka çmimin dyfish më të ulët por që ka avantazhin se lidhet me oligarkinë, me dyshen Rama-Kokëdhima dhe kreun e komunës këtu. Kryeministri lëshon bandën lokale, shefin e komisariatit që i kërcënon fshatarët ‘po qe se flisni unë do t’ju hedh në lumë’. I kërkojmë kryeministrit që të marrë masa ndaj këtij zyrtari që thërret banorët në komisariat pa asnjë arsye”, deklaroi Salianji në një takim me banorët.

Top Channel