Arvizu: Shpresoj që PD-ja t’i japë fund bojkotit

07/12/2014 00:00

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu shpreson që bojkoti i Partisë Demokratike të përfundojë sa më shpejt dhe kjo parti të kthehet në Kuvend. Këtë deklaratë Arvizu e ka bërë mbrëmjen e së shtunës, i ftuar në aktivitetin e “TEDx Tirana” për dhunën ndaj gruas.

“Shpresoj që bojkoti të përfundojë shumë shpejt. Me Presidentin takohem shumë shpesh për çështje të ndryshme që janë të interesit reciprok dhe takimi i fundit është i kësaj kategorie”, deklaroi zoti Arvizu.

Lidhur me pjesëmarrjen në aktivitetin e TEDx, ambasadori amerikan tha: “Ne jemi të kënaqur që përfaqësojmë ambasadën tonë këtu. Fokusi është tek informacioni dhe teknologjia. Kemi zhvilluar një sërë aktivitetesh për këtë fushatë, por ky i sotmi zgjerohet edhe më tej. Gratë dhe vajzat kanë bërë përparim, por nevojitet që të bëhet edhe më shumë. Do të zhvillojmë një diskutim të hapur për hapat pozitivë që janë hedhur, por do të diskutojmë edhe për disa hapa konkretë që do të ndihmojnë në promovimin e një barazie të vërtetë gjinore.”

Top Channel