“Festivali i dritave në Korçë”, çelet muaji festiv

07/12/2014 00:00

Buzëmbrëmjen e së shtunës qyteti i Korçës ka çelur muajin e festave, ku ndryshe nga çdo vit tjetër ceremonia e ndezjes së dritave që zbukurojnë qytetin ka sjellë një tjetër dimension.

Tashmë e pagëzuar me emrin “Festivali i dritave në Korçë”, ceremonia ka mbledhur në zonën këmbësore me qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët mes dekorit festiv kanë mundur të përjetojnë diçka ndryshe.

Momentit festiv nuk i ka munguar edhe zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili duke vlerësuar atmosferën festive është ndalur edhe tek investimet infrastrukturore të qytetit, të cilat sipas tij po e bëjnë Korçën të festojë në çdo cep.

Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, nga ana e tij ka theksuar se për qytetin ky ishte vetëm fillimi i një muaji festiv ku sikundër është bërë traditë, aktivitetet e larmishme nuk mungojnë.

Për mëse dy orë qytetarët janë bashkuar në një atmosferë festive që ka mbizotëruar qëndrën e qytetit të Korçës, ndërsa pjesë e ceremonisë ka qenë edhe inagurimi i rikonstruksionit të fasadës së “Shtëpisë rumune”.

Top Channel