PD ose heroizmi pa ide

07/12/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Sjellja e opozitës shqiptare, dhe përkatësisht e Lulzim Bashës, gjithnjë e më shumë po i ngjan një spektakli që luhet në një sallë pa spektatorë.

Të vetmit që e ndjekin këtë shfaqje janë më së shumti zyrtarët e djeshëm të PD-së ose aspirantët për shtetarë të nesërm të saj, të cilët, në mungesë të dramës së vërtetë, kanë sajuar një melodramë të shkruar nga mjeshtri i manipulimit, Sali Berisha, dhe e recitojnë në sallën e agjitpropit të SHQUP-it. Po çfarë e ka shkaktuar gjithë këtë zemërim të PD-së që ka vendosur të braktisë Parlamentin dhe të përqafojë si rrugë të opozitarizmit protestat? Në vend nuk është prodhuar ndonjë ngjarje që të ketë dëmtuar interesin publik në mënyrë të tillë që opozita të vihet në krye të zemërimit popullor dhe të përdorë si mjet politik rrëzimin e qeverisë me protesta.
 
Reformat e qeverisë dhe lotët e opozitës

Qeveria Rama është më e qartë në veprimet e saj. Ajo, përmes deklarimeve të Kryeministrit, ka shpallur se do të ndërmarrë reforma të thella që mund të kenë edhe kosto elektorale. Qeveria i tregoi publikut se energjia elektrike është vjedhur në mënyrë katastrofike, se territori është zaptuar në mënyrë të pashembullt, se biznesi privat është trajtuar në mënyrë klienteliste dhe për të gjitha këto ajo shpalli aksionin që ka në themel moton: tolerancë zero ndaj abuzimeve me energjinë elektrike dhe me territorin. Dhe nisi aksioni mbarëkombëtar për të vendosur rregull në pagesën e energjisë elektrike dhe në territor. Në fakt, qeveria jo vetëm po rrezikonte, por edhe po kërkonte që të sfidohej. Ky vizion i kësaj qeverie dhe kjo ambicie e Edi Ramës, synon që të prekë thelbin e organizimit shoqëror të postdiktaturës. Ajo që kuptohet është se modeli i derisotëm i ekonomisë shqiptare ka qenë ai i xhunglës dhe i klientelizmit, që në publik shitej si ekonomi liberale. Sipas këtij modeli, shoqëria ishte ndarë në dy pjesë të mëdha: në njërën anë ishin shqiptarët korrektë, kokulur, që paguanin taksat dhe korrentin, që jetonin në pronat e tyre ose në banesat e privatizuara të diktaturës dhe, në anën tjetër, shqiptarët cuba që kanë zaptuar pronën publike, që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe që shërbejnë në shumicën e rasteve si kontingjente luftarake të partive politike. Aksioni i madh për goditjen e këtyre dy plagëve na tregoi të gjithëve se në çfarë honi ishim futur. Mirëpo, kjo nismë, natyrisht që ka një kosto të rëndë ekonomike, sepse prek në të shumtën e rasteve ekonominë e vogël apo të vetëpunësuarit dhe, nga ana tjetër, i jep një goditje të rëndë ekonomisë informale që ka qenë deri diku një valvul shkarkuese për krizën ekonomike. Drejtimi i ekonomisë dhe vendosja e ligjit e trembin deri diku iniciativën e lirë të sipërmarrësve të dyshimtë apo të kapitalit me origjinë jo të qartë. Mirëpo, qeveria dhe Edi Rama personalisht e kanë marrë përsipër këtë kosto dhe e kanë pranuar. Po opozita? Opozita në fillim u gjet në befasi nga ky aksion i qeverisë dhe pastaj e mori veten shumë shpejt. Ajo filloi të qajë dhe të derdhë lot për familjet që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, filloi të qëmtojë raste që, sipas saj, tregonin se qeveria po bënte një politikë përzgjedhëse në prishjen e ndërtimeve pa leje. Mirëpo rastet që paraqiste jo vetëm nuk bindnin njeri, por ato ishin pjesë të shkëputura nga melodrama e komedianit të famshëm Sali Berisha, i cili, ashtu si ata aktorët e teatrit të kukullave, kishte ulur poshtë figurinat dhe i lëvizte nga lart kokat dhe krahët e tyre. Gjithë ky spektakël ishte një kauzë pa ide, sepse në themel qëndron vetëm një dilemë: ligji dhe antiligji, një shoqëri e modelit xhungël dhe një tjetër që qeveria po përpiqet ta formalizojë. Opozita mbeti kështu si një hero pa ide.
 
Një vend pa opozitë – mundësi për autoritarizëm

Dëmi që po i sjell PD-ja demokracisë shqiptare është i shumëfishtë. Qeveria e sotme, ashtu si cilado qeveri tjetër në një sistem demokratik, është gjithmonë një mundësi gabimesh. Nëse do të kishim një situatë normale, me një opozitë serioze dhe të përkushtuar për Shqipërinë, opinioni publik do të ishte më i vëmendshëm për mosarritjet e kësaj qeverie dhe për dështimet në disa fusha. Personalisht, gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk e kam kuptuar reformën ekonomike në këtë vend. Deri tani, si manovër ekonomike, na është paraqitur vetëm goditja ndaj informalitetit, por nuk dimë të themi se në cilin model ekonomik do të mbështetet ky vend. Ministria e Ekonomisë është dikasteri me performancën më të keqe. Mirëpo, opozita jo vetëm që nuk bën një ekspertizë në këtë drejtim, por duket se nuk i intereson fati ekonomik i këtij vendi. Askush nuk di të të thotë se çfarë investimesh po bëhen në këtë vend, ku po bëhen ato, çfarë mase ka kapitali i huaj që po hyn në këtë vend dhe cilat janë perspektivat që i ofron tregu ynë atij. Ministri i Ekonomisë deri tani ka shfaqur vetëm një performancë, atë të shoqëruesit të parë të Kryeministrit. Në ato vizita askush nuk e merr vesh se çfarë pune bën ky ministër. Po flitet këto ditë për reformën në arsim dhe qeveria po krijon idenë dhe përshtypjen sikur punët në atë sektor u zgjidhën. Ministrja e Arsimit sa herë shfaqet në televizor përsërit frazën standarde se ne ia dolëm për këtë dhe ia dolëm për atë. Në fakt, sistemi arsimor po vuan nga të njëjtat plagë. Nëpër rrethe bëhet po ajo masakër me emërimet si në kohën e parë. Asnjë shenjë nuk ka për reformën në përmbajtjen e arsimit. Përditë zbulohen skandale në tekstet e cikleve të ndryshme dhe ministrja thotë se ia dolëm të rregullojmë tekstet. Në arsimin e lartë, kriza po shfaqet edhe më e thellë. Mjaft të shohësh se çfarë po ndodh në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë, ku rektori dhe dekani i Universitetit të Tiranës përjashtojnë pedagogë nga puna si në rastin e pedagogut të mirënjohur, autorit të shumë teksteve, dr. Hysamedin Ferrajt dhe ministria hesht. Në atë universitet ka filluar terrori mbi pedagogët dhe studentët vetëm pse ata kanë paraqitur në publik, pra kanë shkruar mbi plagët në arsimin e lartë dhe ministrja nuk prononcohet. Sot, universitet publike janë kthyer në çifligje të rektorëve e të dekanëve dhe ligji i ri, që synon ta kufizojë këtë ngërç, jo vetëm që nuk përfillet, por ministrja duket se ka pranuar shërbimet klienteliste të këtyre drejtuesve dhe nën zë miraton sjelljen e tyre harbute ndaj pedagogëve e studentëve duke instaluar censurën dhe goditjen ndaj gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Ka edhe plot probleme të tjera në këtë qeverisje, por që nuk mund të evidentohen dhe nuk mund të bëhen shqetësime të opinionit publik për sa kohë që opozita jonë është organizuar si një qeveri që ngjet me një teatër amator kukullash, të cilat recitojnë melodramën e rrëmbimit të pushtetit të shkruar nga komediani i socrealizmit naiv, Sali Berisha.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel