Vritet kreu i Al Kaedas nga një sulm ajror i telekomanduar

07/12/2014 00:00

Kreu i operacioneve terroriste të Al Kaedës në Pakistan dhe Afganistan është vrarë nga disa sulme të njëpasnjëshme ajrore, me “dronë” të telekomanduar nga amerikanët. Umar Faruk, më parë kishte shërbyer thjesht si një zëdhënës i Al Kaedës dhe besohet të jetë i pari pakistanez, i cili është ngjitur në një pozitë udhëheqëse të grupit terrorist.

Sulmet ajrore pa pilotë i morën jetën edhe katër militantëve të tjerë, në rajonin ku ushtria pakistaneze është ndeshur me talebanët dhe militantët e al Kaedës. Prej kohësh, zona është përdorur si strehë nga terroristët, mirëpo bombardimet e fundit e shkatërruan atë plotësisht.

Për pothuajse një dekadë, ofensivat ajrore amerikane në Pakistan nuk janë mirëpritur nga vendasit. Zyrtarët pakistanezë i kanë dënuar publikisht sulmet me avionë, duke thënë se ato shkelin sovranitetin e tyre dhe kanë detyruar të shpërngulen mbi 800,000 banorë nga zona veriore e Pakistanit.

Megjithatë, sulmet e mëngjesit të së dielës, që arritën të ekzekutonin njërin prej liderëve të Al Kaedës, u cilësuan si të realizuara me sukses. Umar Faruk humbi jetën thuajse një ditë pas ekzekutimit, që militantët e Al Kaedës i bënë gazetarit amerikan Luke Somers dhe mësuesit afrikanojugor Pierre Korkie.

Edhe pse misioni i SHBA-ve, i urdhëruar nga Obama, nuk e shpëtoi dot pengun Somers, duket se ai nuk ndali me aq. Burime të inteligjencës amerikane pohojnë se kreu i Uashingtonit nuk tërhiqet nga lufta kundër terrorizmit deri në shfarosjen e tij.

Top Channel