Optimizëm për paqen në Ukrainë pas takimit Hollande-Putin

07/12/2014 00:00

Rizgjohen shpresat për një armëpushim të përhershëm mes Rusisë dhe Ukrainës. Pas një takimi të Presidentit francez, Francois Hollande, me homologun rus, Vladimir Putin, ky i fundit deklaroi se shpreson për një pakt paqeje lidhur me zonën e Krimesë.

Të dy liderët dolën optimistë nga bisedimet. Vizita e Hollande në Moskë ishte  e papritur dhe burimet thonë se njoftimi u bë në momentet e fundit. Francois Hollande është i pari lider perëndimor, që ka vizituar Rusinë pas marrëdhënieve të rënduara për shkak të sanksioneve mbi krizën në lindje të Ukrainës.

Putin deklaroi se ka rëndësi të madhe paqja në Ukrainë. “Është një situatë tragjike. Në Ukrainë njerëzit janë duke humbur jetën përditë.Por, unë shpresoj se vendimi përfundimtar do të arrihet së shpejti, për të pushuar luftimet”, është shprehur kreu i Kremlinit.

Ndërsa Hollande i kërkoi të dyja palëve të respektojnë marrëveshjen për armëpushim, të nënshkruar në Minsk më 5 shtator. Ndërkohë, nga kryeqyteti ukrainas i Kievit, Presidenti Petro Poroshenko deklaroi se i mirëpret bisedimet në kuadër të armëpushimit të lëkundur, që janë planifikuar për ditën e martë.

Top Channel