Testimi, PD: Rama shkeli ligjin për interesa klienteliste

07/12/2014 00:00

Demokratët e cilësojnë testin për licencim, që iu nënshtruan mësuesit një ditë më parë, si antiligjor, që prapa ka interesa klienteliste dhe synimin për raprezalje të largimeve të mësuesve nga puna.

Sipas Genc Pollos, vendet vakante në shkolla, me ligj përcaktohet se plotësohen nga komisionet e vetë këtyre shkollave dhe jo nga Ministria e Arsimit.

“Në emër të Partisë Demokratike, i kërkoj sot Edi Ramës të harrojë eksperimentet e revanshit dhe klientelizmit në arsim. Të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin, nga germa e parë, në germën e fundit. Sepse në kundërshtim me të gjithë normën ligjore në fuqi, e praktikën e konsoliduar, z. Rama kërkon të fusë në licencim të gjithë arsimtarët për t’u futur në punë”, tha deputeti i PD, Pollo.

Demokratëve iu bën thirrje, mësuesve dhe prindërve:

“Të refuzojnë dhe të protestojnë me forcë kundër çdo veprimi të qeverisë, që shkel ligjet në fuqi. Ne do të ftojmë mësuesit dhe qytetarët në protesta masive të pandalshme, deri sa arbitrariteti dhe revanshi qeveritar të ndalet”, deklaroi Genc Pollo.

Top Channel