Dy persona kanë humbur jetën në Greqinë Veriore nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona.

Një 77-vjeçar nga Nea Santa pranë Kilkizit, rreth 40 km në veri të Selanikut, ka humbur jetën, kur ujërat e rrëmbyera të një përroi kanë përmbysur traktorin, të cilin ai po drejtonte.

Disa orë më vonë, një 24-vjeçare është mbytur, kur ka humbur kontrollin e makinës së saj nga ujërat, që kishin mbuluar rrugën afër qytezës së Nea Halkidhonës, pranë Selanikut.

Pamjet dhe fotografitë nga kjo zonë japin imazhe të një katastrofe të jashtëzakonshme, pasi ujërat e lumit që përshkon këtë krahinë kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur sipërfaqe të tëra toke bujqësore, rrugë dhe shtëpi.

Në qytetin e Kilkizit, disa prej rrugëve janë ende të bllokuara nga ujërat, por edhe në lindje të Selanikut, në zonën turistike të Halkidhikisë, ka pasur përmbytje të mëdha në fshtatrat Kalikratia, Sozopoli dhe Nea Iraklia.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar paralajmëron se edhe përgjatë orëve në vazhdim do të ketë reshje të dendura, që do të shoqërohen në zona të veçanta me furtuna dhe shtrëngata.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel