Shkarkohen 234 punonjës të OSHEE, debitorë prej më shumë se 2 muajsh

07/12/2014 00:00

Kreu i ri i OSHEE-së ka njoftuar largimin nga puna të 234 punonjësve të kësaj kompanie, për shkak të detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike për më shumë se 2 muaj.

“Është e pafalshme që individë të punësuar në OSHEE, që për vite me radhë kërkonin nga qytetarët pagesën e rregullt të energjisë elektrike, të jenë vetë vjedhës të saj. Të tillë punonjës nuk kanë as moralin, por as të drejtën për të vazhduar punën pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, u shpreh Ardian Çela, kreu i ri i këtij institucioni, i cili zëvendësoi vetëm pak kohë më parë të larguarin Arben Seferi.

Drejtuesi i ri i OSHEE-së tha se shumica e qytetarëve e kanë mbështetur aksionin dhe nismën e qeverisë për faljen e kamatëvonesave, çka ka dhënë sipas tij impakt të drejtpërdrejtë. Nga kjo kanë përfituar 1122 familje, që kanë bërë pagesë të plotë, të cilët në këtë mënyrë kanë përfituar edhe 80% ulje të kamatëvonesave, dhe për tri ditë janë lidhur 4131 aktmarrëveshje për pagimin e energjisë, deklaroi ai.

“Përfitoj nga rasti për të falënderuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë që po përgjigjen pozitivisht duke paguar detyrimin e tyre për energjinë elektrike të harxhuar, njësoj siç ndodh në çdo vend normal. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje t’u ofrojmë shqiptarëve një shërbim më të mirë dhe më cilësor”, deklaroi kreu i OSHEE-së.

Top Channel