Fushë Krujë, 2 kg tritol shtyllës së tensionit të lartë

07/12/2014 00:00

Një sasi prej 2 kg tritol është vendosur e ndarë, në dy këmbët e një shtylle të tensionit të lartë, gati për shpërthim në rrethin e Krujës.

Fakti u konstatua në orët e para të mëngjesit të së dielës, në vendin e quajtur Kodra e Zograçes, në afërsi të rezervuarit të fshatit Halil, të rrethit të Krujës.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës njoftoi se në shtyllën e tensionit të lartë, të linjës furnizuese me energji elektrike, është gjetur e vendosur por e pashpërthyer, një sasi eksplozivi e llojit tritol, rreth 2 kg, në lartësinë 3 metra nga sipërfaqja e tokës.

Sasia e eksplozivit u gjet e ndarë në dy pjesë dhe ishte vendosur në dy nga këmbët e shtyllës. Forcat e Policisë së Qarkut Durrës, si dhe shërbimet e Komisariatit të Krujës, ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore, ndërsa po punohet për identifikimin e autorëve dhe zbulimin e rrethanave që çojnë në zbardhjen e saj.

Një javë më parë, më 29 nëntor, një sasi tjetër tritoli u gjet në këmbët e një tjetër shtylle të së njëjtës linjë, te Kodra e Zograçes.

Top Channel