Çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë për furrat e bukës

07/12/2014 00:00

Çmimi i energjisë elektrike pritet të mos ndryshojë vetëm për furrat e bukës dhe fabrikat e miellit.

Ndonëse vendimi për rritjen e çmimit të energjisë merret nga ERE, dhe pritet të mësohet brenda muajit dhjetor, të paktën ky është propozimi i qeverisë, e cila synon që ndryshimi i çmimit të energjisë të mos ndikojë në rritjen e çmimit të bukës për konsumatorin.

“Për furrat e bukës dhe fabrikat e miellit do të ketë një tarifë më vete, apo duhet të ketë më mirë, të pandryshuar nga ajo që kemi aktualisht. Ky përjashtim propozohet për të mbajtur në këtë nivel shpenzimet e konsumatorit familjar për ushqimin bazë, si buka”, u shpreh Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjitikës.

Ndërsa, lidhur me konsumatorët jofamiljarë të energjisë elektrike, qeveria propozon të ketë vetëm tri tarifa, në varësi të aksesit që ata kanë në linjat e tensionit.

“Të mos kemi më 13 tarifa për tregun jofamiljar, por vetëm tarifat sipas aksesit në tension, pra tri të tilla. Tarifë për konsumatorin të lidhur me 35 kV, të lidhur në 20, 10 apo 6 kV, si dhe tarifë për ata të lidhur në tension të ulët 0,4 kV. Kjo është e drejtë sepse pasqyron si koston e shpërndarjes, edhe ato të furnizimit për çdo nivel tensioni. Gjithashtu kështu ulet varësia e tregut të rregulluar nga çmimet e importit të energjisë”, theksoi Ilir Bejtja.

Për konsumatorin familjar, i cili përbën rreth 58%, qeveria ka kërkuar që çmimi të mos jetë më shumë se çmimi mesatar aktual, prej afro 9.9 lekë për kË. Nisur nga propozimet zyrtare të tri kompanive KESH, OST dhe OSHEE, është Enti Rregullator i Energjisë që do të vendosë për çmimin e energjisë për vitin 2015.

Top Channel