Basha: Rama mbaj premtimet, mos u lodh të vish në protestë

07/12/2014 00:00

Menjëherë pas postimi të Kryeministrit mbi çmimin e energjisë, ka reaguar kreu i demokratëve, Lulzim Basha, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke e cilësuar Ramën si kryemashtrues që kërkon të bëjë moral.

“Ka 2 muaj që luan kukafshehti me ministrin e tij të energjisë dhe nuk i përgjigjet pyetjes së shqiptarëve: Sa do rritet çmimi i energjisë?”, shkruan Basha.

Më tej, ai vijon duke përmendur se shqiptarët nuk harrojnë se në fushatë premtoi se do ta ulte çmimin e energjisë; por, sipas Bashës, ‘OSHEE dhe Ministria e Energjitikës, të dyja nën komandën e Kryeministrit, kanë kërkuar rritje të çmimit, ndërsa kryemashtruesi dhe megafonët e tij e quajnë mesatarizim.

“Lëri lojërat me nervat e sfilitura të njerëzve që po vuajnë! Ule çmimin e energjisë siç premtove! Mos rrit taksat! Hap vende pune dhe jo plagë të reja sociale! Përndryshe mos u lodh të vish në protestë. Po vjen protesta tek ty! Më e madhe se kurrë më parë!”, mbyll reagimin e tij Basha.

Top Channel