Nënshkruhet marrëveshja LDK-PDK, Kuvendi voton për qeverinë e re

08/12/2014 00:00

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë formalizuar të hënën marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Krerët e koalicionit PDK-LDK nënshkruan marrëveshjen e bashkëqeverisjes, e cila parashikon që posti i kryeministrit t’i takojë Isa Mustafës, posti i kryeparklamentarit nënkryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe posti i presidentit Hashim Thaçit, por pas përfundimit të mandatit kushtetues të presidentes aktuale.

Marrëveshja e koalicionit PDK-LDK, që parashikohet të zgjasë deri në 2018-ën, përmban vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdimin e projekteve, por edhe zbatimin e programit qeverisës i cili bazohet në zhvillimin ekonomik.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, deputetët e legjislaturës së pestë u mblodhën në seancën konstituive dhe nga kryesuesja Flora Brovina u bë vazhdimi i seancës ku ishte ndërprerë muaj më parë.

Me këtë rast, Brovina i kërkoi grupit parlamentar të PDK-së që të propozojë kryetarin e Kuvendit dhe me këtë rast Hajredin Kuçi propozoi Kadri Veselin. Gjatë prezantimit, Kuçi e vuri theksin tek fakti se Veseli është një nga themeluesit e UÇK-së.

71 nga 119 deputetë të pranishëm në seancë votuan pro zgjedhjes së tij si kryeparlamentar. Kundër Veselit, përveç deputetëve të opozitës nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma votuan edhe disa deputetë të pozitës nga radhët e LDK-së.

“Nuk ka konfirmim më të madh se Kosova nuk ka demokraci, nuk as drejtësi e as republikë sesa ky instalim i kreut të nëntokës në krye të organit më të rëndësishëm legjilsativ, për më tepër edhe me votat e PDK”, deklaroi Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes.

Kryetari i ri, Veseli foli më pas para deputetëve të koalicionit PDK-LDK, ndërsa fjalimi i tij u bojkotua nga opozita. “Ky Kuvend do të jetë vendi i debateve gjithëpërfshirëse dhe i kompromiseve dhe jo i metodave përjashtuese. Unë si kryetari juaj do të respektoj fjalën tuaj, të pozitës dhe opozitës, do të angazhohem që debatet tona të jenë mbi interesat politike, por në interes të vendit”, tha nga ana e tij Veseli.

Menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit, deputetët votuan edhe nënkryetarët e Kuvendit dhe me këtë rast u përmbyll konstituimi i legjislaturës.

Ndërkohë, teksa pritet që nga çasti në çast të votohet për qeverinë, pasi presidentja Jahjaga mandatoi Isa Mustafën për kryeministër, deputetët e Listës Serbe kanë braktisur sallën e Parlamnetit.

Përfaqësuesit e Listës, me në krye Aleksandër Jablanoviç e kanë marrë këtë vendim pas takimit që patën me partitë e koalicionit.

Ata kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në seancë me argumentin se nuk janë plotësuar kushtet e tyre. i pyetur nga mediat se cilat kushteve u referohet, Jablanoviç ka thënë se, “të gjithë i dinë kushtet tona”. 

Top Channel