Përmbytjet në Durrës, një familje ende në ujë

08/12/2014 00:00

Ka kaluar një javë nga reshjet e fundit që shkaktuan përmbytje në
Durrës, por pasojat e tyre janë ende të pranishme në shumë familje.
Vetëm pak kilometra larg bashkisë së qytetit bregdetar, familja Jana
jeton në ujë.

Askush nuk ka shkuar të verifikojë gjendjen e familjes me 7 anëtarë, mes të cilëve 4 fëmijë dhe një e moshuar e sëmurë. Kudo rreth e qark shtëpisë dhe brenda saj ka vërshuar uji.
 
“Kushtet shumë të vështira. Jam vetë i shtati dhe nuk kam as ku të ankohem, pasi askush nuk të jep rrugëzgjidhje. Vetëm të vras veten. Nuk e përballoj dot. Po të shkosh në bashki të thonë ‘ik andej nga ke ardhur!'”, thotë Zhaneta Jana, anëtare e kësaj familje.
 
Familja ka dhjetë vjet që është vendosur në zonën e ish-Kënetës në qytetin e Durrësit. Përpjekjet e antarëve të familjes për të nxjerrë jashtë ujin kanë dështuar, pasi toka kënetore nuk kullon, po buron. Nevoja për ndihmë është emergjente në këtë familje.

Të paktën për të tërhequr ujërat dhe siguruar shëndetin e rrezikuar të fëmijëve në këtë fundviti, ku dëshirat për dhurata dhe argëtim kanë reshtur, janë mbytur në ujin me të cilin bashkëjetojnë.

Top Channel