Në pritje të derbit, 12 mijë tifozë në stadium, policia merr masat

08/12/2014 00:00

Pas më shumë se një dekade, derbi kryeqytetas Partizani-Tirana do të luhet për herë të parë për kreun e klasifikimit.

Diferenca prej 1 pike, forma e mirë që po kalojnë këto skuadra dhe sigurisht prania e 2 tifozerive në shkallët e “Qemal Stafës” do ta bëjë akoma më të bukur përballjen e 140 mes dy emblemave të futbollit shqiptar.

Mësohet se numri i biletave të shitura janë mbi 12 mijë, një shifër rekord ky përsa i përket futbollit shqiptar të këtyre 20 viteve të fundit. Zemërgjerësia e Komisionit të Apelit në FSHF dhe sigurisht edhe e klubit Partizani ka bërë që rreth 5 mijë tifozë të skuadrës së Tiranës të kenë mundësinë të mbështesin skuadrën e tyre në shkallët e “Qemal Stafës”.

Përsa i përket formacioneve, të dyja skuadrat kanë nga 1 mungesë, Vrapi për Partizanin dhe Olaki për Tiranën. Trajneri i “Të Kuqve” pritet të luajë me skemën 4-4-1-1 dhe arma e tij në sulm do të jetë Raçiç, i cili do të ketë mbështetjen e Nexhipit dhe dyshes Mazrekaj-Vila nga krahët.

Ndërsa trajneri i bardhebluve pritet ta nisë ndeshjen me skemën 4-3-1-2. Dyshja sulmuese Ndikumana-Bushiç tregon qartë ambicoiet e Maganit dhe Tiranës për ta fituar këtë derbi.

Duke qenë se tifozët e futbollit dhe sidomos ata të Tiranës janë shndërruar javët e fundit në një çështje problematike, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e këtij derbi.

Është bllokuar qarkullimi dhe parkimi i automjeteve rreth e qark stadiumit “Qemal Stafa”, ndërkohë që në stadium do të lejohen të hyjnë vetëm ata tifozë që përveç biletës kanë me vete edhe dokumentin e identifikimit.

Top Channel