Merkel kritikon Rusinë: Ka sjellë vështirësi për Lindjen

08/12/2014 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel i është rikthyer kritikave ndaj Moskës, të cilën së fundi e akuzoi se po i sjell vështirësi Ukrainës e disa shteteve europianolindore. Si ilustrim për këto pohime, Merkel përmendi konfliktin e Transnistrias, prej të cilit Moldavia vuan prej vitesh.

Asnjë nga përpjekjet tona politike për të ndihmuar në këtë drejtim nuk pati sukses, theksoi shefja e ekzekutivit gjerman. Ajo kujtoi po kështu “konfliktin e ngrirë” të Gjeorgjisë në rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë, ndërsa doli hapur me pretendimet se Moska përpiqet të krijojë varësi ekonomike dhe politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Edhe një herë Kancelarja gjermane përcolli gatishmërinë për të mbështetur edhe ushtarakisht, në rast nevoje, Estoninë, Letoninë e Lituaninë, nëse do të ndihen të kërcënuara nga fqinji i tyre i madh. Nuk shtrohet çështja e një lufte në vendet baltike, sqaroi Merkel e cituar nga “Deutsche Welle”.

Por, pavarësisht kësaj, neni 5 i Traktatit të NATO-s dikton detyrimin për t’i ofruar mbështetje të gjithë anëtarëve të aleancës. Kjo është dhe arsyeja, përse po kontribuohet për të siguruar hapësirën ajrore të shteteve baltike, po ngrihen forca të reja të reagimit të shpejtë, e po bashkëpunohet për një qendër të përbashkët drejtimi në Shçecin të Polonisë, ushtarakisht me Poloninë dhe Danimarkën.

Kancelarja është mbrojtur edhe ndaj kritikave të tri paraardhësve të saj në post, Helmut Schmidt, Helmut Kohl, dhe Gerhard Schröder, të cilët janë shprehur për një qendrim më mirëkuptues përballë Rusisë.

Merkeli këmbëngul se përgjigjia e përbashkët europiane ndaj veprimeve të Rusisë është e drejtë, e thotë se fakti që kjo e fundit ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, nuk mund të kalojë pa pasoja.

Top Channel