Pengjet, SHBA nuk ndryshon praktikën: S’ka negociata me terroristët

08/12/2014 00:00

Në politikën amerikane të ndërhyrjes për lirimin e pengjeve nuk do të ketë ndryshime, pavarësisht dështimit të pothuajse të gjitha misioneve të fundit të këtij lloji.

Shefi i Pentagonit, Chuck Hagel, e mbrojti përpjekjen e shpëtimit të gazetarit amerikan, Luke Somers, dhe mësuesit afrikanojugor, Pierre Korkie, të vrarë në Jemen nga militantët e al Kaedës gjatë një operacioni të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të shtunën.

Familjarë e të afërm të pengjeve fajësuan sulmin e armatosur për humbjen e jetëve të tyre. Penny Bearman, njerka e 33-vjeçarit Somers, i tha gazetës “the Times” se familja do të mbështeste negociatat për lirimin e tij, në vend të një qasjeje konflikti. Ka pasur kërcënime edhe më parë, vazhdon ajo, duke shtuar se Michael, babai i fotoreporterit, është i bindur se po të mos kishte pasur një përpjekje shpëtimi, i biri do të ishte ende gjallë.

Forcat speciale amerikane kishin tentuar ta ndihmonin Somersin që në muajin nëntor. I njëjti skenar ishte përsëritur dhe me James Foleyn; edhe për lirimin e tij ishte zhvilluar një operacion disa javë përpara se ekstremistët e Shtetit Islamik t’i prisnin kokën në muajin gusht. Hagel, megjithatë, këmbëngul se nuk ka nevojë për rishimin e këtyre procedurave, me argumentin se nuk mund të jenë më të plota se kaq.

“A është i papërkryer ky si proces? Po. A ka rreziqe? Po, sigurisht që ka. Por, ne nisemi nga fakti që kemi një amerikan të mbajtur peng dhe se jeta e atij amerikani është në rrezik, ndaj kjo situatë kërkon zgjidhje”, tha Hagel.

Presidenti amerikan Barack Obama e quajti vrasjen e Somersit “barbare”, e tha se kishte autorizuar operacionin për shkak të informacioneve, që tregonin se jeta e 33-vjeçarit rrezikohej seriozisht. Një muaj më parë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Obama kishte kërkuar një rishikim të hollësishëm të politikës së Shteteve të Bashkuara lidhur me pengjet amerikane, por sërish kundërshton lirimin e tyre me shpërblesë.

Top Channel