Asambleja Botërore e Rinisë, përfaqësues nga 50 shtete në Tiranë

08/12/2014 00:00

Për herë të parë në Shqipëri është mbledhur Asambleja Botërore e Rinisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 50 vende të botës. Idris Haron, president i kësaj asambleje, tha se të rinjtë duhet të kontribuojnë jo vetëm në nivel lokal, por edhe global.

Duke përshëndetur pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, zoti Haron u shpreh se modeli që përfaqëson kryeministri shqiptar duhet t’i shërbejë të gjithë të rinjve. Kryeministri Edi Rama e vuri theksin në rëndësinë që merr përfshirja e të rinjve në politikë.

“Unë kam dëgjuar shpesh të rinj që thonë se s’duan të merren me politikë, s’duan t’ia dëgjojnë as emrin politikës, dhe politika është diçka e ulët dhe e pistë që nuk bën për ta. Në fakt është një iluzion i madh të mendosh se po nuk u more ti me politikën, politika nuk do të merret me ty. Sepse, faktikisht, ne jemi në mënyrë të përditshme objekt dhe subjekt i politikës. Sa më pak të merremi ne, njerëzit, me politikën, aq më shumë rrezikojmë të jemi viktima të vendimeve të  gabuara të saj. Sa më shumë njerëzit e zakonshëm të merren me politikë, aq më shumë politika bëhet fuqia e tyre për ndryshim. Të merresh me politikë nuk do të thotë të bëhesh politikan, nuk do të thotë të braktisësh gjërat me të cilat ti merresh çdo ditë, pasionet e tua apo ambiciet e tua për të bërë një karrierë në profesionin tënd, por do të thotë thjesht dhe vetëm që t’i japësh vetes mundësinë që, bashkë me të tjerë, të krijosh më shumë hapësirë dhe më shumë kushte të favorshme për të bërë gjënë që ti do përmes profesionit tënd”, tha kryeministri Rama.

Fjalën e tij përshëndetëse Rama e mbylli me një thënie të presidentit amerikan Reagan.

“Një qytetar i mirë është më shumë se një njeri i mirë (cit. Reagan). Pra, nuk mjafton të jesh një njeri i mirë për të qenë një qytetar i mirë, sepse një njeri i mirë është ai që nuk i bën dëm komunitetit ku jeton, por një qytetar i mirë është ai që, bashkë me të tjerët, bën gjëra të reja dhe sjell ndryshime të mira për komunitetin ku jeton. Kjo asamble është një asamble qytetarësh të mirë dhe, sa më shumë qytetarë të mirë të kemi, aq më shumë jemi të sigurt se e ardhmja do të jetë më e mirë”, u shpreh kreu i qeverisë, Rama.

Kjo asamble, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, organizohet në një ditë të shënuar për Shqipërinë, siç është 8 dhjetori, kur doli në pah lidershipi i studentëve në atë dhjetor të vitit 1990 dhe se sot është një moment fantastik reflekimi për atë që ndodhi 24 vite më parë.

Top Channel