Trajtimi i  të sëmurëve nga zemra, falas edhe në spitalet jopublike

08/12/2014 00:00

Pacientët, të cilët kanë probleme të zemrës, kanë nisur të përfitojnë shërbime falas edhe në spitalet jopublike. Drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kudjesit Shëndetësor, Astrit Beci, ka asistuar gjatë procesit të koronarografisë së një pacienti në një nga spitalet private, i cili ka lidhur kontratë me Fondin.

“Në spitalet ku ndodhemi tani janë bërë deri tani 5 rastet e para së bashku me ekspertë specialistë të Fondit. Organizuam sot një vëzhgim të këtyre qendrave. Kontaktuam me pacientët për të parë sa të kënaqur ishin me shërbimin e marrë dhe sa kishte qenë ky përfitim. Konstatuam që të gjithë deri tani kanë përfituar nga procedurat me sukses të plotë dhe, kushdo që ka nevojë për procedurat e tjera në vazhdim, do të përfitojë nga paketat për procedurat e tjera”, u shpreh Astrit Beci.

Janë 150 pacientë gjithsej, që do të përfitojnë shërbime të Kardiologjisë falas në spitalet jopublike, të cilët do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në 5 spitalet, që kanë kontratë me Fondin.

“Lista e pritjes, e cila në shërbimin e Kardiologjisë për nevojat kryesisht të koronarografive ishte një listë 4 apo 5-mujore dhe me rreth 500 pacientë, prej të cilëve rreth 100 pacientë gjatë këtij viti do të mbulohen nga shërbimi i Kardiologjisë pranë QSUT-së, dhe rreth 150 të tjerë po dalin nga kjo listë pritjeje me shërbime të bëra. Çka do të thotë se brenda vitit kalendarik ne do të arrijmë të përgjysmojmë listën e pritjes të Kardiologjisë”, vijoi më tej Astrit Beci, drejtor i FDKSSH.

Këtë javë priten të fillojnë edhe ndërhyrjet kirurgjikale, si dhe transplantet renale, ku pacienti nuk paguan asgjë, edhe pse shërbimin e merr në një institucion privat.

Top Channel