‘TempleOS’, sistemi i operimit ‘i kërkuar’ nga Zoti

08/12/2014 00:00

Një dekadë dhe 121 mijë rreshta gjuhe kompjuterike. Kjo është kryevepra e Terry A. Davis, amerikani që përfundoi ‘detyrën e ngarkuar nga Zoti’ për krijimin e një sistemi operimi kompjuterik.

Terry ka pagëzuar sistemin me emrin TempleOS dhe në kanalin e tij në Youtube janë me dhjetra video udhëzuese për përdorimin e sistemit. Gjuha e përdorur në këtë programim është frymëzuar nga pasazhe të Biblës.

‘Tempulli’ është një labirint programesh dhe nënkategori programesh që shërbejnë ‘për të folur me Zotin’.

“Ai më kërkoi të ndërtoja një program të tillë dhe unë e ndërtova”, thotë Terry në një intervistë për Vice.

Terry ka lindur në vitin 1969 dhe ishte fëmija i shtatë i një familjeje me tetë djem. Në vitin 1980 nisi të marrë njohuritë e para në gjuhën e programimit me Apple II, një program argëtues dhe zhvillues për fëmijë.

Programoi deri në moshën 26-vjeçare kur u punësua nga Ticketmaster. Në vitin 1996 u diagnostikua me skizofreni.

“Shihja persona me xhaketë dhe kravatë që më ndiqnin ngado. Më dukej e çuditshme”, rrëfen ai. 1996-2003 ishin vitet më të vështira për të.

“Në ato vite isha me të vërtetë i çmendur, tani nuk jam më. Ose ndoshta jam por në një formë të ndryshme”, shton Terry.

Në 2003 nis punën për ndërtimin e ‘TempleOS’ sipas ‘porosisë’ së Zotit. Me kalimin e kohës sistemi bëhej vazhdimisht më i plotë dhe disa lojëra të përshtatura për të nisën të qarkullojnë. Duket sikur sistemit i mungon logjika, por ai i përgjigjet me saktësi çdo komande.

“Mund të mendojnë se bëhet fjalë për një të çmendur që realizon një sistem operimi të padobishëm, por Zoti më pohoi se kam realizuar tempullin e Tij”, përfundon rrëfimin për Vice programuesi amerikan.

Top Channel