Të gjithë e kanë të vështirë ta besojnë se prej tri javësh, Floran Kondi, i njohur si “Dr. Flori”, nuk është më. Trishtimi ka pushtuar familjen, miqtë, kolegët, duke lënë pas boshllëk te të gjithë ata që e njihnin.

Më shumë se kurrë, sot ai i mungon familjes, gruas dhe dy fëmijëve, prindërve dhe vëllait, që e kishte bashkëpunëtorin e mbi 30 këngëve të kthyera në hite, si dhe mikun e tij më të mirë.

I lindur në Tiranë më 29 shkurt 1979, Flori ishte themelues i grupit “West Side Family”, përmes të cilit u bë i njohur. Vdekja e papritur shkaktoi shumë keqardhje. Kjo, jo vetëm sepse ishte shumë i ri, por edhe për faktin se Flori ka qenë një personazh karizmatik dhe i dashur për publikun.

Të gjithë do e mbajnë mend humorin e Florit gjatë intervistave të ndryshe, apo situatat që krijonte.

Pas suksesit të këngës “Mesazh”, Flori shkoi në skenën e Festivalit të “Këngëve të stinës”, tashmë jo vetëm për të kënduar, por dhe si prezantues. Në listën e gjatë të hiteve, kënga që më së shumti bëri jehonë ishte padyshim “Tirona”, e renditur menjëherë në krye të klasifikimit.

Kohët e fundit, Dr. Flori shfaqej shpesh me Ermal Mamaqin, me të cilin pati disa bashkëpunime. Thoshte se kishte hequr dorë nga të gjitha veset, ndërsa frekuentonte Kishën Ungjillore, duke u bërë një besimtar i devotshëm.

Në rrugën e Dr. Florit ka ecur gjithashtu dhe vëllai i vogël Albani. Ai sot bën pjesë në grupin e mirënjohur “Produkt 28”. 30-vjeçari ka një studio muzikore dhe, pa asnjë diskutim, idhulli i tij do të vazhdojë të jetë përgjithmonë Flori…

Top Channel