Atmosfera përpara Partizani-Tirana, tifozët mbushin stadiumin

08/12/2014 00:00

Tifozeria në derbin e 140 kryeqytetas Partizani – Tirana ka rikthyer në
vëmendje sfidat para viteve ‘90 mes këtyre dy emblemave të futbollit
shqiptar.

Si asnjëherë më parë gjatë këtyre viteve të fundit, tifozë të shumtë të të dyja skuadrave kanë mbushur shkallët e stadiumit “Qemal Stafa” rreth 1 orë para nisjes së ndeshjes.

Tifozët bardheblu, të cilët falë “zemërgjërësisë” së Komisionit të Apelit në FSHF që shtyu vendimin e Disiplinës për pezullimin e tyre, kanë qenë më të organizuar se sa ata të Partizanit.

Qindra mbështetës të ekipit bardheblu me flamuj dhe simbole të skuadrës së tyre kanë shkuar në grup drejt “Qemal Stafës”, ndërkohë që ata të Partizanit janë treguar më të qetë duke i ruajtur energjitë e tyre për ‘90 minutat e ndeshjes.

Forca të shumta policie janë angazhuar dhe kanë qenë të pranishëm rreth stadiumit “Qemal Stafa” për të siguruar mbarëvajtjen e këtij derbi. Përveç se nuk ka lejuar futjen e sendeve të forta, forcat blu nuk kanë lejuar asnjë tifoz të hyjë brenda rrethimit të stadiumit nëse përveç biletës nuk ka qenë i pajisur edhe me një mjet identifikues.

Top Channel