Greta Maria Agalliu: Shkruaj historitë që do doja të jetoja vetë

08/12/2014 00:00

Ajo është shumë speciale. Një vajzë me botë të pasur shpirtërore, me ëndrra dhe talente që druan t’i ndajë me të tjerët, por mbi të gjitha është një artiste e lindur.

Greta Maria Agalliu ende s’i ka mbushur 17 vjeç, por që tani ka arritur të lërë gjurmë. “Luna” është libri i saj i parë i botuar, një roman që ajo heshturazi nisi ta shkruajë kur ishte 13 vjeç, por që kur doli në dritën e botimit, i la pa fjalë të gjithë.

“Në momentin kur ajo botoi librin, askush s’e dinte dhe askush nuk e priste. Madje edhe ne, që rrinim gjithë kohën me Gretën, e kemi marrë vesh në fund, kur libri u botua. Na u tha doli libri i Gretës. Sigurisht ajo na e ka dhuruar librin dhe ne e kemi lexuar atë. Ishte një libër fantastik, përrallor”, thotë Fatjona Dalipi.

“Luna”, vajza e Akullit dhe Yjeve, është një trill magjepsës, që të fut në botën e fantazisë ku, jo vetëm fëmijët, por çdokush e gjen veten butë në këtë libër.

“Është një libër ku të gjithë prej nesh, duke filluar nga fëmijët e vegjël e deri tek adoleshentët, gjejnë vetveten. Edhe unë kam arritur të gjej vetveten tek ai libër, ndaj dhe kjo është e mrekullueshme”, thotë Bora Sheshima.

Por, edhe pse shkruan për fëmijët, mendimi i Greta Marisë ka një pjekuri që i kalon kufijtë e viteve të saj moshore.

“Mesazhi që sjell libri i Gretës është që ne të gjithë duhet të kuptojmë atë që kemi brenda vetes sonë, por duhet të kuptojmë më mirë edhe personat që na rrethojnë, se secili prej nesh ka diçka të veçantë përbrënda”, shton më tej Fatjona Dalipi.

Enkela është ndër shoqet më të reja të Greta Marisë dhe thotë se thesari i shpirtit të saj e ka tërhequr si me magnet.

“Që kur e kam njohur Gretën, e dija që ajo ishte speciale, në kuptimin që kishte shumë për të dhënë. Nuk e di, por mjafton që ta shikosh atë dhe, që nga pamja, kupton se ajo ndryshon shumë nga të tjerat”, thotë Enkela Vasku.

Në njëfarë mënyre, “Luna” e Greta Marisë i ka bërë të gjithë të jetojnë brenda kësaj fantazie dhe kushdo që e ka lexuar këtë libër nuk do të mjaftohej me kaq pak.

“Pasi kam lexuar librin, e vetmja dëshirë që kam pasur ishte ta pyesja: Greta kur do ta nxjerrësh librin tjetër? Është një libër absolutisht i mrekullueshëm dhe do kisha dëshirë, që Greta të vazhdonte me këtë punë dhe ne, apo edhe të tjerët që blejnë veprën e saj, të marrim më shumë nga imagjinata që e karakterizon Gretën”, tha Fatjona Dalipi.

Greta Maria tashmë e ka kaluar sprovën e parë në të shkruar, ndërkohë ka nisur puna për vëllimin e dytë të romanit të saj. Por, talentet e vajzës nuk kanë të sosur… Pikturat dhe krijimet me dorë zënë vend mureve të shtëpisë.

“Greta është një person i lindur për art, duke filluar që nga piktura. Ajo, emocionet e saj dhe atë çfarë ka në personalitetin e saj, e ka shprehur me anë të pikturës”, shtoi më tej Bora Sheshima.

Por, pjesa më e mirë e qenies së saj është vokali, që i lë pa fjalë të gjithë ata që e njohin.

Top Channel