Enisa Adil: Romanet e mia, përtej tokësores

08/12/2014 00:00

Sa prej nesh kanë arritur të kenë dy tituj të botuar në moshën 15-vjeçare? Epo Enisa Adil i ka. E jo botime çfarëdo, por dy romane fantastiko-shkencore. Të parin ajo e ka shkruar kur ka qenë 13 vjeçe, ndërsa “Lotusi”, libri i saj i dytë, sapo ka dalë në dritën e botimit.

“Romani i Enisës është fantasik, si vetë ajo. Një vajzë e vogël, me të dhëna të mëdha”, u shpreh Ali Bregu.

“Lotus” trajton temën e jetës jashtëtokësore. Skenat nuk kanë një vendndodhje fikse. Ato janë galaktike e ndërplanetare. Për kryetarin e Klubit të shkrimtarëve “Bota e re”, Ali Bregu, fantazia e vogëlushes është për t’u admiruar, e veçanërisht mënyra se si ajo i sjell në një formë artistike.

“Në romanin e saj ‘Lotus’, që ne po promovojmë sot, ajo jep një botë të tërë të krijuar nga vet Enisa, por mbi baza reale. Enisa vërtet shkruan me fantazi, pasqyron mjedise dhe botë të ndryshme, madje edhe jashtëtokësore, por qëndron me këmbë në tokë”, shtoi Ali Bregu.

Ashtu siç është fantazia e saj futuriste, ashtu janë edhe mesazhet që vogëlushja jep.

“Ajo në romanin e saj jep një moral të evoluar, ashtu siç ka evoluuar bota prej qindra vitesh. Në romanin e saj jepet një moral i qindra viteve të ardhshme”, deklaroi Bregu.

Enisa është një vajzë e jashtëzakonshme, e lidhur me librat dhe letrat që në vogëli. Ajo jeton në qytetin e Korçës dhe frymëzimin për të shkruar e gjen gjithkund. Në ëndrra, në këngë, filma, libra, piktura, apo edhe momente të ndryshme jetësore, siç është një perëndim i bukur.

“Aty shikojmë personazhe të ndryshme njerëzore, me emra të çuditshëm, por tërësisht shqiptarë. Kjo gjë tregon se Enisa, pavarësisht përvojës jetësore të paktë, ajo ka një dhunti të lindur që ia ka dhënë natyra”, shprehet Bregu.

Imagjinata e 15-vjeçares krijon mjedise të ndryshme, mjedise ku veprojnë personazhe që vetëm mendja e saj fantastike di t’i verë në lëvizje e t’i harmonizojë.

“Ajo na ka dhënë një roman të fuqishëm nga ana mendore e intelektuale. Ndaj të gjithë ne lexuesit kemi bindjen se ajo do të bëhet një shkrimtare e madhe”, përfundoi Bregu.

Tani Enisa ka në dorë romanin e tretë. Për t’ia mbërritur deri këtu, ajo ka pasur mbështetjen e padiskutueshme morale dhe financiare të prindërve. Të përkushtuar pas saj, me bindjen se në familjen e tyre të vogël po rritet një shkrimtare e madhe.

Top Channel