Pse vendosëm të mësojmë gjuhën kineze dhe atë japoneze

08/12/2014 00:00

Duket mundim i madh të kalosh këto fjalë e fraza nëpër gojë, por për Kristalin dhe Xhoin kjo gjë është zbavitje.

Xhoi Mema është 16 vjeçe dhe japonishten ka nisur ta mësojë në mënyrë autodidakte që para dy viteve. Kjo dëshirë, asaj i nisi duke parë në televizor dhe internet filma të animuara, për të cilat mësoi se ishin prodhime japoneze.

“Pasi mësova këtë gjë, se ishin japoneze, filova t’i shihja në gjuhën e tyre dhe menjëherë u dashurova me këtë gjuhë”, thotë Kristali.

Shumë rrallë të rastis të dëgjosh se të mësuarit e gjuhëve të huaja është hobi. Por për Xhoi Zajmin, kjo gjë vërtet është një zbavitje, të cilën ajo ka zgjedhur ta pasurojë edhe me gjuhën kineze.

“Ishte në fakt një dëshirë e momentit, një sfidë e radhës që ia vura vetvetes. Më pëlqen ta sfidoj veten duke mësuar gjuhë dhe thashë, pse jo, këtë radhë të ishte gjuha kineze”, thotë Xhoi.

Por, që të përparonte në një gjuhë kaq të vështirë si japonishtja, Kristali nuk ia dilte dot e vetme. Në fillim, familjarët e saj nuk e morën kaq seriozisht dëshirën për të mësuar këtë gjuhë, por pasi u bindën që nuk ishte dëshirë e momentit, i siguruan një mësuese profesioniste.

“Nuk m’u duk ide e çuditshme, duke njohur kapacitetin e saj. Është shumë inteligjente ndaj dhe e inkurajova, i thashë mëso”, shprehet e gjyshe Gonxhja.

Ndërsa për Xhoin ishte komplet e kundërta.

“Në fillim nuk e kanë besuar, iu dukej si e çuditshme, nga më erdhi kjo ide dhe pse ekzaktësisht gjuha kineze. Edhe sot e kësaj dite e kanë të vështirë kur më shohin të praktikoj hieroglifet kineze. Më thonë si ka mundësi që jam duke e mësuar këtë gjuhë. Por të them të drejtën mua nuk më bën aspak përshtypje, tani jam mësuar sepse u bënë thuajse 2 vite. E kam të rrënjosur në vetvete që jam duke e mësuar këtë gjuhë”, thotë Xhoi

Por, çfarë i ka joshur vajzat të mësojnë këto gjuhë orientale? Të vështira për t’u shkruar dhe artikuluar, e për më tepër hapësira autoktone e folësve të këtyre gjuhëve është shumë larg kufijve tanë?

“Më pëlqen intonacioni me te cilin flet, por edhe simbolet janë shumë të bukura, një kënaqësi më vete. Kur i shkruan është një sfidë deri sa t’i mësosh, por pasi mësova alfabetin e parë u ndjeva shumë mirë, sepse dija një gjë që të tjerët nuk e dinin”, thotë Kristali.

“Një ditë e pyeta dhe i kërkova të më thoshte ‘Si je nëna’, por kur më foli nuk i mora vesh asgjë”, shprehet Gonxhja.

Mbase ata që i rrethojnë në përdishmëri nuk kanë gjasa t’i kuptojnë këto vajza. Por, me mendje të kthjellët, shumë larg të sotmes,  ato po përgatisin planet e së ardhmes. E në rastin e 20-vjeçares Xhoi nuk përjashtohet as martesa me një aziatik.

“E kemi bërë disa herë këtë diskutim, edhe me mamin. Por, të them të drejtën nuk jam e mbyllur ndaj këtyre gjërave, përkundrazi jam e hapur ndaj kulturave të reja, ndaj dhe nuk do e kisha fare problem edhe këtë pjesë”, thotë Xhoi.

Me apo pa martesë të realizuar, investimi në këto gjuhë të vështira nuk ka për t’i lënë në baltë këto vajza, të cilat i kanë hedhur sytë drejt kulturës së dy prej vendeve më të zhvilluara të botës.

Top Channel