Nafta ulet sërish me 2 dollarë, rekord prej 5 vitesh

08/12/2014 00:00

Çmimi i naftës “Brent” dhe ai i naftës bruto në SHBA ka rënë me më shumë se 2 dollarë për fuçi gjatë së hënës, duke kapur shifrën më të ulët rekord të 5 viteve të fundit, kjo për shkak të parashikimeve në rritje se situata e mbiprodhimit do të zgjasë edhe gjatë vitit 2015.

Kuvajti, vend anëtar i OPEC-ut, bëri të ditur se pret që çmimet të mbeten apati të thellë edhe për 6 muajt e ardhshëm. Çmimet kanë rënë sërish, edhe pas një raporti të “Morgan Stanley”, i cili ka rishikuar parashikimet për çmime më të ulta të naftës.

Në një raport të 5 dhjetorit, “Morgan Stanley” tha se çmimi i naftës mund të zbresë deri në 43 dollarë për fuçi vitin e ardhshëm. Banka amerikane e Investimeve i ka ulur parashikimet mesatare për naftën “Brent” me 28 dollarë (nga 70$ për fuçi) në vitin 2015, si dhe me 14 dollarë (në 88$ për fuçi) në vitin 2016.

“Pa ndërhyrjen e OPEC-ut, tregjet rrezikojnë të zhbalancohen, ndërkohë që kulmi i mbiprodhimit pritet të arrihet në tremujorin e dytë të vitit 2015”, tha analisti i “Morgan Stanley”, Adam Longson. Nafta “Brent” për janarin ka rënë me 2,42 dollarë (në 66,62$ për fuçi), në nivelin më të ulët që prej tetorit 2009. Ndërsa nafta bruto amerikane ra me 2,27 dollarë (në 63,55$ për fuçi), një rekord i uljes së çmimit që prej korrikut 2009.

“Kur këto çmime shkojnë gjithnjë e më tepër përposhtë, ata arrijnë edhe shifra që njerëzit mund të mos i kenë parashikuar më herët”, tha Tariq Zahir në “Tyche Capital”. “Përfundimisht mendoj se duhet t’i mbajmë kokat poshtë, pasi gjithkush duhet të ngrihet nga një nivel fundor”.

Në një takim të muajit të kaluar, eksportuesi më i madh i naftës Arabia Saudite, u rezistoi thirrjeve nga vendet e varfëra anëtare të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) për të frenuar prodhimin, në mënyrë që të ngrihej disi çmimi, i cili në fakt ka rënë me më shumë se 40 përqind që prej qershorit.

Anëtari i kartelit, Kuvajti, bëri të ditur se çmimet e naftës do të mbeten me shumë mundësi në rreth 65 dollarë për fuçi edhe për 6 apo 7 muajt e ardhshëm.

Top Channel