Ukrainë, “Dita e heshtjes” pritet të rikthejë armëpushimin, por bisedimet…

08/12/2014 00:00

Ukraina ka planifikuar një “Ditë heshtjeje” gjatë së martës, në përpjekje për të rikthyer armëpushimin me separatistët prorusë, armëpushim që pasi u shkel shpesh thuajse është shpërbërë fare, por bisedimet shoqëruese për këtë synim, të parat në 3 muajt e fundit, me shumë mundësi mund të shtyhen.

Në prag të rifillimit të planifikuar të bisedimeve për t’i dhënë fund muajve të tërë luftimesh mes rebelëve dhe trupave ukrainase në lindje të vendit, autoritetet në kryeqytetin bjellorus, Minsk, vendin ku mund të mbahen bisedimet, thonë se ende nuk kanë marrë konfirmim nëse ukrainasit do të marrin pjesë.

Në Moskë, këshilltari më i lartë për politikat e jashtme i Presidentit Vladimir Putin tha se bisedimet, të cilat Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka thënë se janë parashikuar për të martën, duhet të ndodhin në Minsk “këtë javë”.

Këto bisedime do të jenë të parat, që pas planit me 12 pika të armëpushimit të hartuar dhe dakordësuar në Bjellorusi më 5 shtator, nën mbikëqyrjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), të cilat do të synojnë t’i japin fund krizës më të keqe mes Perëndimit dhe Rusisë që prej Luftës së Ftohtë.

Armëpushimi i parë i Minskut është shkelur vazhdimisht, teksa qindra civilë, separatistë dhe trupa ukrainase janë vrarë deri më sot, ndërkohë që vazhdojnë akuzat nga Kievi se Moska ka dështuar të largojë trupat ruse dhe mjetet ushtarake në mbështetje të separatistëve.

Ndërsa këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, tha se Rusia do të bëjë gjithçka mundet për të nxitur zhvillimin e bisedimeve këtë javë, kryeministri ukrainas Arseny Yatseniuk nxiti Moskën të përmbushë angazhimet e saj sipas marrëveshjes së shtatorit.

“Nëse Rusia vazhdon politikën e saj agresive kundrejt Ukrainës dhe gjithë botës, ajo do të duhet të vazhdojë të paguajë çmimin për këtë”, është cituar të ketë thënë Yatseniuk nga mediat pranë tij, duke iu referuar kështu sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

E pavarësisht kësaj, Rusia pritet të rifillojë gjatë së enjtes furnizimin me gaz natyror ndaj ish-republikës sovjetike, që është ndalur rreth 6 muaj më parë për shkak të një debati mbi çmimin dhe borxhet e akumuluara, e që më pas u komplikua edhe më tepër nga lufta në lindje, pasi Kievi miratoi një pagesë paraprake.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Stepan Poltorak, tha se dy palët kanë arritur një “marrëveshje paraprake” për të ndalur luftimet në “Ditën e heshtjes”, gjatë së martës. “Do të shohim se si do të respektohet kjo ditë”, është cituar të ketë thënë ai nga agjencia e lajmeve “Interfax”.

Top Channel