Putin: Turqia “qendra” e Gazprom

08/12/2014 00:00

Kompania shtetërore ruse e gazit, Gazprom tashmë po shtrihet edhe më gjerë, këtë herë me një degë të saj në Turqi.

Projekti ishte njoftuar edhe më herët nga presidenti Vladimir Putin, mirëpo zëdhënësi i Gazpromit në një deklaratë të përbashkët me ministrin turk të Energjetikës, deklaruan se ky do të jetë një nga veprimet e ndërmarra më të suksesshme për të dy vendet.

Kompania do të regjistrohet në Shën Petersburg dhe do të quhet “Gazprom Russkaya”. Gazsjellësi i ri nga Deti i Zi për në Turqi pritet të ketë kapacitet vjetor prej 63 miliardë metra kub gaz.

E ndërsa Putin është shprehur javën e kaluar se Rusia ka hequr dorë nga projekti “Rrjedha e Jugut” për t’ju përkushtuar Gazpromit në Turqi.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë janë të mira dhe vendet kanë nisur partneritet për disa projekte si edhe shkëmbime tregtare. Kjo lidhje u forcua pasi Turqia ishte nga të paktat vende që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, pas marrëdhënieve të rënduara me Perëndimin.

Vladimir Putin vazhdon t’i mëshojë idesë se Rusia do të mund t’ja dali në këto sfida që blloku euroantlantik e ka vendosur, madje ka shtuar se me projektet e reja vendi i tij do të arrijë të furnizojë me gaz edhe Europën, kryesisht atë jugore.

Top Channel