Gianluca Di Marzio: Derbi i një niveli të lartë, disa lojtarë vlejnë për Serinë A

08/12/2014 00:00

I pranishëm në tribunën e “Qemal Stafës” për të ndjekur derbin mes Partizanit dhe Tiranës ishte edhe gazetari i mirënjohur sportiv italian Gianluca Di Marzio, i cili foli për Top Channel në lidhje me atë që u zhvillua në fushën e lojës, si dhe mbi atmosferën e krijuar nga dy tifozëritë në shkallët e stadiumit.

Di Marzio është shprehur se është befasuar nga niveli i futbollit të luajtur, ku sipas tij ai ka qenë i një niveli të lartë, ndërsa ka veçuar ekipin e Partizanit.

“Ishte një ndeshje me një nivel të mirë. Më pëlqeu ekipi i Partizanit, kishte disa lojtarë mjaft të mirë dhe me përvojë, dua të veçoj Nexhipin. Pse jo disa prej tyre në të ardhmen mund të bëhen pjesë e Serie A”, është shprehur gazetari italian.

Përsa i përket atmosferës së krijuar nga dy tifozëritë, Di Marzio është shprehur se ajo ishte fantastike, ku të dyja palët nuk ndaluan për asnjë minutë duke mbështetur ekipin e tyre. 

Top Channel