Greqia do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale dy muaj më parë se sa ishte parashikuar. Lajmin e bën të ditur zëdhënësja e qeverisë, Sofia Voultepsi e cila ka njoftuar se Kryeministri  Antonis Samaras dhe zv/kryeministri Evangjelos Venizelos pasi kanë informuar Presidentin e Republikës, Karolos Papulias, kanë kërkuar nga kryetari i parlamentit të proçedojë sa më shpejt procesi i zgjedhjeve presidencale.

Kështu votimi që do të fillonte në fund të shkurtit do të zhvillohet brenda këtij muaji. Votimi i parë dhe i dyte ku kërkohen 200 nga 300 votat e parlamentit do të bëhet në datat 17 dhe 23 dhjetor dhe i treti, ku kërkohen 180 vota, në datën 29 dhjetor. Kryeministri Samaras në orët e ardhshme do të njoftojë nëpërmjet një fjalimi televiziv emrin e kandidatit që propozon dhe mbështet koalicioni qeveritar dypartiak i konservatorëve dhe socialistëve.

Sipas Kushtetutës nëse nuk do të arrihet numri i përcaktuar i votave brenda dhjetë ditësh parlamenti grek shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të parakohshme në  30 ditët në vazhdim, rrjedhimisht grekët mund të shkojnë drejt kutive të votimeve në fund të muajit janar ose në fillim të shkurtit.

Ky zhvillim i rëndësishëm politik shoqërohet edhe me vendimin e Ministrave të Financave të Eurozonës që kanë rënë dakort të zgjasin edhe dy muaj të tjerë programin grek të ndihmës financiare.

Siç kanë deklaruar presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem dhe Komisioneri për Financat, Pierre Moscovici, meqënëse ekspertët e ‘Trojkës’ nuk mund të arrijnë të kryejnë deri në fund të vitit negociatat për vlerësimin e ecurisë së reformave greke dhe miratimin e disbursimit të këstit të fundit për Greqinë, do të pranojnë kërkesën zyrtare të Athinës për një shtesë  dymujore të programit të ndihmës, ndërsa ekipi i ‘Trojkës’ do të mbërrijë në orët e ardhshme në kryeqytetin grek.

Burime qeveritare shprehen se kreditorët e Greqisë kanë bërë këtë hap pas pasi janë të frikësuar për një destabilitet më të madh politik në vend duke parë edhe ngjarjet e javëve të fundit.

Top Channel