Raporti i OECD, pabarazia dëmton rritjen e ekonomisë

09/12/2014 00:00

Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është në vendet më të zhvilluara
është në nivelet më të larta në 30 vitet e fundit dhe po dëmton rritjen
ekonomike, thotë Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik,
OECD.

Organizata publikoi një raport ku janë studiuar të dhënat ekonomike për 34 vendet anëtare të saj, që nga viti 1990. Në raport thuhet se thellimi i pabarazisë në fushën e të ardhurave ka ngadalësuar rritjen ekonomike. Sipas këtij raporti, ky hendek ka ulur me 7 përqind rritjen e prodhimit amerikan në 20 vitet e fundit dhe me 9 përqind prodhimit britanik, po në të njëjtën periudhë kohore.

Të tilla shifra janë edhe për Gjermaninë, Francën dhe vendet e tjera të Europës.

“Ka prova statistikore që tregojnë se thellimi i pabarazisë ka një ndikim të fortë për rritjen e shëndetëshme ekonomike. Rritja e diferencës së të ardhurave është një pengesë thelbësore për ekonominë. Vendet që promovojnë barazinë dhe mundësitë e barabarta që në moshë të re, janë ato vende që do të zhvillohen më shpejt”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria.

Hendeku është thelluar thuajse në të 34 vendet anëtare, ku të pasurit që përbëjnë 10 përqind të popullsisë fitojnë 10 herë më shumë se të varfërit. Greqia dhe Turqia ishin të vetmet vende të OECD-së ku u gjet reduktim i diferencës së fitimeve mes të pasurve dhe të varfërve.

Top Channel