Skënder Demiraj: Djali vdiq se policia nuk i dha ndihmë në kohë

09/12/2014 00:00

Babai i njërit nga 4 viktimat e vrasjeve në lokalin “Ante Grand”,
nëpërmjet një letre ka shfaqur pakënaqësi si ndaj policisë ashtu edhe
ndaj prokurorisë, për sa u përket hetimeve rreth masakrës me autor të
dyshuar Kostandin Xhuvanin.

Në cilësinë e një ish-prokurori, Skënder Demiraj, ankohet se policia nuk ia dërgoi në kohë në spital të birin, Arbrin, i cili vdiq gjatë transportimit për te bluzat e bardha. Nga ana tjetër, Demiraj akuzon prokurorinë se nuk ia ka vënë në dispozicion dosjen hetimore, teksa pretendon se djali i tij nuk kishte pistoletë me vete atë natë.

Sipas akteve hetimore që ndodhen në dosjen që fillimisht përpiloi policia dhe më pas i verifikoi prokuroria, për t’i dërguar në gjykatë, rezulton se 19-vjeçari është vrarë aksidentalisht, nga një plumb rikoshet që ka dalë nga pistoleta me të cilën Xhuvani po qëllonte personat me të cilët ishte konfliktuar. Ditën e enjte, në orën 10:30 pritet që Gjykata e Tiranës të nisë procesin gjyqësor ndaj Konstandin Xhuvanit.

Letra

Me një letër në formë memoje, Skënder Demiraj i ka shkruar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, të cilëve u ka renditur disa ankesa për ngjarjen, në të cilën mbeti i vrarë djali i tij. Kjo letër ndodhet në zyrat e dy titullarëve të institucioneve, të cilët kanë kërkuar nga vartësit e tyre që t’i përgjigjen ish-prokurorit Demiraj.

Mes rreshtave që i ka dërguar ministrit Tahiri, babai i Arbër Demirajt, ndër të tjera akuzon policinë se nuk i ka dhënë ndihmën e parë djalit të tij. Ish-prokurori pretendon se policia nuk ia kishte dërguar në spital djalin brenda një kohe të shkurtër, por e kishte lënë brenda në makinë, për të pritur autoambulancën. Për dijeni, kjo letër i është dërguar edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Sipas Demirajt, policia nuk ka kryer hetimet e plota për ngjarjen dhe përveç neglizhencës për dhënien e ndihmës së parë, policia nuk ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes dhe nuk ka sqaruar mënyrën e vrasjes së djalit të tij. Ky pretendim qëndron edhe në letrën, që i është drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, në të cilën theksohet fakti se edhe pse dosja ka përfunduar në gjyq, familja e tij nuk është sqaruar se si është vrarë djali i tyre.

Më tej, ish-prokurori Demiraj pretendon se edhe pistoleta që i është faturuar djalit të tij të vrarë, nuk është e vërtetë. Sipas Demirajt, për të fshehur apo për të devijuar provat, policia dhe prokuroria i ka faturuar djalit pistoletën, e cila ka qenë e të dyshuarit tjetër Erald Sida. Sipas Demirajt, djali i tij nuk mbante pistoletë në momentin e ngjarjes. Më tej, babai i 19-vjeçarit ka shfaqur ankesa edhe për hetuesit e çështjes, të cilët, sipas tij, nuk kanë zbatuar procedurën penale, të marrjes së familjarëve në pyetje për ngjarjen ku mbeti i vrarë Arbër Demiraj. Ai thotë se është elementare në hetimin e një ngjarjeje, të pyetën familjarët e viktimave dhe të njihen me dosjen që ka përfunduar në gjyq. Ai thotë se prokuroria jo vetëm që nuk e ka pyetur për ngjarjen ku mbeti i vrarë djali i tij, por edhe nuk e ka njoftuar për mbylljen e hetimit apo t’i japë një kopje të kërkesës për gjykim për të pandehurin Xhuvani.

Hetimet

Në lidhje me rrethanat e vrasjes së 19-vjeçarit, Policia e Shtetit dhe prokuroria, kanë arritur në përfundimin se ai është vrarë aksidentalisht. Sipas dosjes hetimore, nga analizat balistike të armëve dhe gjurmët e barutit në duar, dyshohet se Kostandin Xhuvani është autori i dyshuar i të katërta vrasjeve.

Disa dëshmitarë okularë, por edhe filmimet e kamerave, kanë konfirmuar faktin se Arbër Demiraj ishte prapa Xhuvanit, kur ky i fundit, po i priste te dera 2 objektivët e tij, me të cilët ishte grindur atë natë në lokal, për një çështje droge. Fillimisht, sipas dosjes, Xhuvani qëlloi në zemër Edison Jahon, plumb i cili përshkroi edhe Enea Xhajn, të cilëve u kishte hapur derën e lokalit. Arbër Demiraj qëndronte prapa tij dhe teksa u zhvendos pas të shtënës së parë, Xhuvani vijonte të qëllonte në kokë 2 të rinjtë që sapo i kishte vrarë dhe 19-vjeçari u qëllua aksidentalisht nga plumbat rikoshet. Në të njëjtën mënyrë vdiq edhe italiani Giampaolo Azzola.

Top Channel