Ndarja e re, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD për pezullim të ligjit

09/12/2014 00:00

Demokratët kanë pretenduar përpara Gjykatës Kushtetuese se reforma territoriale ka shkelur të paktën 5 parime kushtetuese.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: E miratuar me nxitim në vetëm tre muaj, që përbën një kohë jo të mjaftueshme, dhe duke përdorur një shumicë të cilësuar për të arritur tek objektivi i tyre, sigurisht që nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka cënuar edhe atë që kërkon Gjykata Kushtetuese, që të shkojë përtej një mazhorance.

Gjyqtari Vladimir Kristo: Cili është kontributi juaj në këtë reformë dhe shkalla e pjesëmarrjes? Ne shqiptarët e kemi të lehtë të bëjmë më shumë rolin e kritikut se sa të kontribuesit…

Oerd Bylykbashi: Duhej që ne të uleshim bashkë dhe kjo të ishte e garantuar që kjo nuk do të ndryshonte në seancë plenare.

Përveç miratimit të njëanshëm dhe futjes në seancë me procedurë të përshpejtuar, pretendime të hedhura poshtë nga qeveria dhe Kuvendi, sipas PD-së nuk është kryer detyrimi tjetër kushtetues: konsultimi me qytetarët. Ndërsa solli si argument sondazhet dhe takimet me komunitetet, qeveria shtoi se Kushtetuta kërkon mendimin e qytetarëve, por jo pëlqimin e tyre për një reformë me interes kombëtar.

Argumenti tjetër i opozitës ishte mosrespektimi i kritereve njësoj për të gjitha njësitë.

Oerd Bylykbashi: Shumë mirë që Divjaka doli njësi më vete. Ka resurse potenciale ëpr zhvillim ekonomik dhe turistik. Por të njëjtën mundësi e kishte dhe Velipoja dhe komunat rreth saj. Është bërë kjo në mënyrë specifike për të arritur një rezultat politik, dhe kjo bie ndesh me parimin e barazisë jo vetëm në përfaqësim, por edhe të barazisë së peshës dhe vlerës që ka vota e çdo zgjedhësi.

Armand Subashi, deputet i PS: Kjo do të thotë që shqiptarët, por në përgjithësi elektorati, në Himarë është i paracaktuar një herë e mirë dhe nëse do të ishte kështu, s’ka përse bëhen zgjedhje. Dihet rezultati, këtë komunë historikisht e merr kjo parti, këtë bashki historikisht e fiton ajo parti, atëherë përse duhen zgjedhje?

Pretendimi pasues i opozitës ishte se reforma territoriale nuk u shoqërua me ndryshimet e tjera në ligjin për pushtetin vendor dhe Kodin Zgjedhor. Për të parën, mazhoronca tha se janë depozituar tashmë këto ndryshime në Kuvend, ndërsa për të dytën ftoi opozitën të bëhet pjesë e tyre, pasi ekziston koha e nevojshme deri në zgjedhjet lokale.

Heqja e komunës si njësi vendore, për demokratët gjithashtu është një tjetër cënim i Kushtetutës, për të cilën qeveria tha se ligji themeltar i shtetit e parasheh atë, si një nga variantet e funksionimit të pushtetit vendor dhe jo si variant detyrues për ekzistencën e kësaj ndarjeje.

Shqetësimi më i madh i demokratëve, më shumë se sa vetë ndarja territoriale, ishte organizimi i zgjedhjeve me këtë ndarje. Oerd Bylykbashi tha për mediat se përveç pushtetit vendor, edhe zgjedhjet do të hyjnë në kolaps.

“Jo vetëm hartimi i listave, por dhe organizimi i zgjedhjeve sot është në rrezik. Ne nuk jemi të gatshëm ta pranojmë, e kemi deklaruar se me këtë hartë elektorale nuk mund të ketë zgjedhje”, u shpreh deputeti demokrat Bylykbashi.

Me këtë fjali të fundit, demokratët shmangin edhe përgjigjien se çdo të bëjnë në rast se Gjykata Kushtetuese lë në fuqi këtë ndarje territoriale, duke besuar se vendimi i saj do të jetë për rrëzimin e ligjit. Por, për qeverinë, asnjë argument që PD paraqiti nuk cënon Kushtetutën.

“Bazuar në pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, nuk doli ndonjë argument i fortë që të na bëjë të ndryshojmë mendim. Ne i qëndrojmë mendimit të rrëzohet kërkesa e paraqitur nga kërkuesi”, deklaroi para trupës gjyqësore, Artur Metani, përfaqësues ligjor i qeverisë.

Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, ndërsa në nisje të kësaj seance rrëzoi kërkesën tjetër të demokratëve për pezullim të ligjit, duke e lënë atë në fuqi deri në vendimmarrjen tjetër. Por, nëse i referohemi precedentëve të mëparshëm të saj, vendimi përfundimtar i gjykatës mund të marrë edhe disa muaj kohë, kohë në të cilën zgjedhjet vendore do të kenë nisur të përgatiten me këtë ndarje territoriale, ndërsa Presidenti do të shpallë vetëm pas një jave datën e tyre.

Top Channel