Diskutimi për kushtet e PD-së, Rama dhe deputetët e PS takojnë kreun e ri të PE

09/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, së bashku me deputetët e së majtës Taulant Balla,
Evis Kushi e Monika Kryemadhi, biseduan me kreun e ri të PPE-së në
Parlamentin Europian, Manfred Weber, për reformat në vend dhe “kërkesat e
ngritura nga Partia Demokratike si kushte për vazhdimësinë e bojkotit”,
siç deklaroi socialisti Balla pas takimit.

“Ndamë të njëjtin qëndrim me kryetarin ëeber që të ruajmë me opozitën një kanal komunikimi të përhershëm, pasi ne duam që i njëjti kanal komunikimi që ekziston këtu mes grupit S&D dhe PPE, të ekzistojë dhe në Shqipëri, sepse duam që bashkëpunimi me opozitën përsa i takon mardhënieve me Parlamentin dhe Komisionin Europian ta kemi sa më të qëndrueshëm e të vazhdueshëm.Fakti që dhe nga bashkëbiseduesi ynë, kreu i PPEsë, u pranua që të gjitha kërkesat e opozitës ne i kemi realizuar, mbetet në vlerësimin e vetë PD-së, që në funksion të tyre të ushtrojë rolin kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.

Top Channel: Zoti Balla një nga kërkesat e opozitës është dekriminalizimii parlamentit, jo për këtë legjislaturë por për të ardhshmen, e kjo është një pikë për të cilën ju nuk keni arritur ende një kompromis. A u hap kjo çështje për diskutim?

Taulant Balla: Opozita ka shtruar si shqetësim të vetin incidentin e ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë, në 10 korrik 2014. E informuam zotin Weber se për këtë rast kemi nxitur institucionet e drejtësisë të bëjnë detyrën e tyre. Informuam për procedurat që janë ndjekur dhe stadin e hetimeve të procedimit gjyqësor, sikundër e kemi thënë që ditën e parë ne dënojmë çdo formë dhune në Kuvendin e Shqipërisë. Përsa i përket dekriminalizimit, të paktën këtu PS është forca e vetme politike që përpara se të depozitojë listën e kandidatëve, për secilin prej tyre kërkon një deklarim nga institucionet e prokurorisë dhe ministrisë së Drejtësisë për të parë nëse përpara kanë pasur përshkrime kriminale në veprimtarinë e tyre. Këtë gjë e kemi bërë prej ditës së parë dhe jemi të qetë përsa i takon pastërtisë së figurës të atyre qê kandidojnë në emër të PS.

Kjo çështje pritet të diskutohet edhe në takimet e parashikuara me eurodeputetët që ndjekin Shqipërinë, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, të cilët synojnë ndërmjetësimin për arritjen e një kompromisi me përfaqësuesit e shumicës qeverisëse për kthimin e opozitës në Kuvend gjatë seancës së fundit plenare të vitit, pas shtyrjes së takimit ndërparlamentar të dhjetorit.

“Ju duhet të kuptoni se dhe vetë PE nuk është në një kohë të përshtatshme për të zhvilluar takime të këtij karakteri. Por le të shpresojmê se data 18 do të përdoret nga deputetët e opozitës për t’u kthyer në parlament”, u shpreh Balla.

Vizita dyditore e delegacionit shqiptar përbën të vetmen mundësi për përfshirje të Parlamentit Europian për zgjidhje ndaj bojkotit të opozitës brenda këtij viti. Vizita e parashikuar e raportuesit Fleckenstein në Tiranë është nga 7-9 janar 2015.

Përgatiti ARTA TOZAJ

Top Channel