Kosovë, votëbesohet Qeveria e re. Serbët marrin një zv.kryeministër

09/12/2014 00:00

Kuvendi i Kosovës ka votuar në seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re, pasi koalicioni PDK dhe LDK arriti një marrëveshje të re me Listën Serbe.

Me 73 vota pro dhe 38 kundër, Isa Mustafa u zgjodh kryeministri i ri i Kosovës. Gjashtë deputetë të LDK votuan kundër. Nga ana e tij, Mustafa u zotua se do të punojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Betohemi solemnisht që me përgjegjësi, përkushtim dhe ndershmëri do të kryejmë detyrimet tona qeverisëse, duke zbatuar Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e miratuara, duke respektuar parimet, normat dhe standardet ndërkombëtare për liri, barazi e demokraci, në interes të përparimit ekonomik, arsimor e kulturor”, deklaroi Mustafa.

Para se të votohej kabineti qeveritar, Mustafa paraqiti para deputetëve edhe përbërjen e qeverisë së tij. “I nominuar për kryeministër jam unë. Zoti Hashim Thaçi është i propozuar për zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme”, saktësoi Mustafa.

Deputetët e opozitës kërkuan sërish debat, por kryeparlamentari Kadri Veseli nuk e lejoi pasi siç tha ai, debati u konsumua një ditë më parë kur u prezantua programi qeverisës.

Votimi i qeverisë së Kosovës erdhi pas marrëveshjes së re të arritur mes koalicionit PDK-LDK dhe Listës Serbe, e cila një ditë më parë vendosi kushte të reja.

Top Channel e ka parë marrëveshjen e re të arritur mes kryeministrit Mustafa dhe serbëve, e cila përveç se u ka mundësuar serbëve marrjen e një posti zëvendëskryeministri, po ashtu parasheh që Qeveria e Kosovës në pjesën e parë të vitit 2015 të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Po ashtu, marrëveshja me serbët parasheh që Prishtina zyrtare menjëherë të nisë proçedurat për krijimin e kushteve për zyrtarizimin e linjës direkte ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe nisjen e një hekurudhe që lidh Kosovën me Serbinë.

Serbët kishin kërkuar po ashtu që të futen në marrëveshje edhe çështja e emërimit të një serbi si nëndrejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe emërimin e një serbi si zëvendëskomandant të FSK-së.

Këto kushte Mustafa ka thënë se janë çështje që duhet të rregullohen së shpejti me ligj dhe ua ka premtuar kur të ndryshojnë ligjet përkatëse.

Po ashtu edhe kërkesa e serbëve për ndërprerjen e privatizimeve në komunat me shumicë serbe, sipas marrëveshjes do të parashihen gjatë ndryshimit të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

E pasi morën çfarë deshën, ministri i sapoemëruar për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç nuk e nënshkroi as betimin për qeverinë e re, me simbole të Kosovës.

Ai e mori dhe e mbylli pa e firmosur dokumentin e betimit, edhe pse një gjë e tillë sanksionohet me Kushtetutë, në nenin 95 të të cilës thuhet se: “Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj”.

Jabllnaoviç deri dje ka qenë deputet i Kuvendit të Serbisë, por siç konfirmoi Isa Mustafa në foltoren e Parlamnetit, ai ka dhënë dorëhqejen.

Pas votimi të qeverisë, në ditët në vijim do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrave të ministrave, ndërsa Isa Mustafa do ta marrë detyrën nga Hashim Thaçi të premten më 12 dhjetor.

Top Channel