Beteja politike për guvernatorin, Braçe: Ka problem ligjor, Komisioni i Ligjeve të shqyrtojë dekretin

08/12/2014 00:00

Propozimi i Presidentit Bujar Nishani për guvernatorin e ri duket se po projekton një kurs përplasje mes tij dhe Parlamentit.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe deklaroi se do i kërkojë Komisionit të Ligjeve të vlerësojë ligjshmërine e dekretit që propozon Genti Sejkon për Guvernator të Bankës së Shqipërisë.

“Siç ju kam thënë edhe më parë, në gjithë këtë historinë e Bankës së Shqipërisë, ka një problem shumë të madh ligjor, që ka të bëjë me të drejtën e propozimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Ligji eshte i qarte 5 anëtare i propozon Kuvendi, 3 anëtarë i propozon Qeveria dhe 1 e propozon vete Keshilli Mbikëqyrës i BSH-së. Asnjë institucion tjetër, përtej këtyre tre institucioneve nuk ngarkohet nga ligji për të përzgjedhur anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë”, tha Braçe.

Sipas Braçes, përtej këtij ngërçi ka dhe një tjetër argument që përforcon nevojën për të vlerësuar ligjshmërinë e propozimit të Presidentit.

“Ka precedentë të zgjedhjes së Guvernatorit në këtë Kuvend, që nga vitet 92 e me rradhë. Precedentët dëshmojnë qartë se si zgjidhet guvernatori, nga rradhët e kujt zgjidhet guvernatori dhe natyrisht çfarë funksioni ka patur më parë”, tha Braçe.

Por a është kjo deklaratë e zotit Braçe, një sinjal se maxhoranca do e votojë kundër kandidatin e propozuar nga Presidenti për guvernator?

“Une nuk po flas as për kandidatë, as për dekret. Po flas qartësisht për një çështje që do një zgjidhje shumë të qartë ligjore. Natyrisht që është një çështje shumë e rëndësishme, çështja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, sikurse është shumë e rëndësishme edhe çështja e anëtarëve të Këshillit të Mbikëqyrjes dhe duhet të zgjidhur me qetësi dhe me mirëkuptim midis institucioneve. Vullnetet personale nuk i sherbejne askujt”, theksoi Braçe.
 
Pak ditë më parë, me nismën e 29 deputetëve të maxhorancës, Komisioni i Ekonomisë amendoi ligjin, duke hequr kushtin e nënshtetësisë shqiptare për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernatorin.  

Top Channel