Lufta kundër ISIS, edhe 1.500 trupa në terren me mision trajnues

09/12/2014 00:00

Koalicioni ndërkombëtar anti-ISIS, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, premtoi dërgimin e 1.500 trupave shtesë në Irak. Gjeneral-lejtnant James Terry, njeriu i ngarkuar me koordinimin e përpjekjeve kundër grupit të dhunshëm islamik, sqaroi se trupat do t’i shtohen 3.100 ushtarëve të angazhuar prej Amerikës.

Detajet që munguan në deklaratën e tij ishin se, cilat vende e kanë marrë saktësisht këtë zotim dhe çfarë roli do të kenë trupat e reja. Ushtarët, që Uashingtoni është zotuar të dërgojë, do të jenë sipas tij me mision këshillimor.

Shpresat janë që ky kontigjent shtesë i trupave amerikanë të ndihmojë në rritjen e efikasitetit të ushtrisë irakiane, e cila këtë verë u shfaq pothuajse krejtësisht e pazonja për t’i bërë ballë mësymjeve të Shtetit Islamik.

“Edhe pse forcat irakiane të sigurisë kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë, mendoj se po përmirësohen nga dita në ditë. Nëse nisim tani dhe ekuilibrojmë aftësitë e pjesëve të ndryshme të koalicionit, them se jemi në rrugë të mbarë me trupat në terren”, tha James Terry, komandant i trupave amerikane.

Vetëm përgjatë 5 ditëve të fundit, koalicioni ndërkombëtar ka ndërmarrë 15 sulme ajrore në Siri dhe 31 në Irak.

Por, pavarësisht përpjekjeve për frenimin e xhihadistëve të Shtetit Islamik, grupi vazhdon të ketë nën kontroll territore të tëra në Siri e Irak, ku imponon një variant të ashpër të Islamit sunit e persekuton jobesimtarët. Vala e tij e ekzekutimeve nuk ka përfshirë vetëm vendasit. Pre e fushatës së terrorit të ISIS-it janë bërë edhe disa pengje perëndimorë, ndërsa betohet të vrasë edhe të tjerë.

Top Channel