F1, Hamilton: Dua titullin e tretë

09/12/2014 00:00

Lewis Hamilton është piloti i vetëm në aktivitet në Formulën 1 që ka fituar dy tituj kampion me dy skuderi të ndryshme. Sezoni që sapo përfundoi ishte pothuajse perfekt për pilotin britanik (11 fitore, 7 pole position, 16 podiume dhe 7 xhiro të shpejta), por 29-vjeçari ka deklaruar se ka uri për më shumë.

Hamilton kërkon të fitojë titullin e tretë botëror në mënyrë që të barazohet me idhullin e tij, brazilianin Ayrton Senna.

“Gjithmonë kam dashur të imitoja Ayrtonin. Do të jap gjithçka për një titull të tretë”, tha britaniku pasi mori dy çmime nga revista ‘Autosport’.

Hamilton foli edhe për rivalitetin e këtij viti me shokun e tij të skuadrës, Nico Rosberg.

“E kam njohur në vitin 1997 kur ishim në karts. Kemi kaluar vite të shkëlqyera, por më pas ndoqëm rrugë të ndryshme dhe i humbëm paksa kontaktet. Këtë vit, me një makinë të njëjtë dhe me titullin në lojë kemi pasur një betejë psikologjike të pabesueshme. Kemi qenë miq më të mirë para këtij sezoni, kjo është e sigurtë”, tha duke qeshur Lewis Hamilton.

Top Channel