Spiunia që tentoi të joshte Edward Snowden

09/12/2014 00:00

“Anna flokëkuqja”, ish-spiunia ruse e arrestuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010, është përpjekur të joshë Edward Snowden.

Bukuroshja ruse kishte marrë një urdhër direkt nga Kremlini, që synonte të mbante në Rusi sa më gjatë të ishte e mundur djaloshin që zbuloi skandalin amerikan të përgjimeve.

Lajmin për këtë plan e ka bërë të ditur një ish-agjent i KGB-së, Boris Karpichkov, sipas të cilit pjesë e planit për të futur në grackë Snowden ishte edhe një mesazh në Twitter në vitin 2013, në të cilin Anna Chapman i kërkonte ish-informaticienit të NSA-së që të martohej me të.

Sipas Karpichkov, informaticieni u tundua nga propozimi i bukuroshes me flokë të kuqe, por mendoi për pasojat e një marrëdhënieje të tillë.

“Nëse lidhja do të ishte bërë serioze, atëherë spiuni amerikan do të kishte pasur të drejtë për të marrë nënshtetësinë ruse, me pasojën që në rast të largimit nga vendi do t’i duhej një autorizim nga autoritetet”, ka sqaruar ish-agjenti i KGB-së.

Dhe një gjë e tillë sipas tij do të kishte qenë shumë e vështirë dhe për më tepër rusët do ta kishin “shtrydhur” për t’i nxjerrë atij të gjitha informacionet mbi përgjimet e shërbimeve sekrete amerikane.

Propozimi i spiunes ruse në rrjetin social bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, por ajo vetë nuk ka dashur kurrë të flasë për të.

Edhe Snowden nuk e ka komentuar dhe ndërkohë, së fundmi, është fotografuar në Moskë në shoqërinë e të fejuarës së tij Lindsay Mills, nga e cila ishte ndarë në Hauai në verën e vitit 2013, kur ishte arratisur nga SHBA dhe kishte mbërritur në Rusi.

Top Channel