Lavrov: Qëndrimi i ashpër i Merkelit? Kështu nuk fiton Europa

09/12/2014 00:00

Rusia ka bërë të ditur shqetësimin e saj në lidhje me sjelljen e udhëheqësve gjermanë, gjatë kësaj të martë, duke paralajmëruar se Europa do të vuajë nëse Berlini frenon së luajturi një rol konstruktiv sa i përket marrëdhënieve mes Moskës dhe Perëndimit.

Nën drejtimin e Kancelares Angela Merkel, Berlini ka marrë kryesimin në përpjekjet për të bindur Presidentin Vladimir Putin të angazhohet më shumë me Perëndimin përgjatë krizës në Ukrainë, por kritikat e saj ndaj Moskës janë ashpërsuar përgjatë javëve të fundit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, la të kuptohej se Moska nuk do të pranojë leksione nga të tjerët dhe se durimi i saj sa vjen e po soset.

“Nuk mund të mos e shprehim shqetësimin tonë në lidhje me atë çfarë po bëjnë kolegët tanë gjermanë”, tha ai në një konferencë për shtyp, pas bisedimeve me homologun e tij belg, Didier Reynders. “Gjermania, tradicionalisht ka luajtur një rol tepër konstruktiv sa u përket marrëdhënieve mes BE-së dhe Rusisë, por edhe të Perëndimit në tërësi me Rusinë. Nëse Gjermania do të vendosë të kalojë në një situatë lëshimi urdhrash, atëherë Europa nuk do të fitojë asgjë nga kjo, madje as vetë Gjermania”.

E ndërsa durimi i Merkelit ka shkuar drejt limiteve gjithashtu, ajo ka akuzuar Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe ndërhyrje në çështje të brendshme të vendeve që synojnë marrëdhënie më të ngushta me Brukselin.

Aleatja më e afërt e Putinit – një lider që e njeh dhe e flet shumë mirë gjermanishten – në Bashkimin Europian prej 28 kombesh anëtare, Merkel ka mbështetur raundet e njëpasnjëshme të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të rolit të saj në krizën e Ukrainës.

Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia po ushqen konfliktin në lindje të Ukrainës duke dërguar armë dhe trupa ndaj rebelëve prorusë, të cilët luftojnë kundër forcave qeveritare. Merkel bëri të ditur pozicionin e saj gjatë së martës, në një takim me kristiandemokratët konservatorë (CDU), duke thënë se aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Moska në mars ishte i jashtëligjshëm dhe se kriza në lindje të Ukrainës po kërcënonte rendin dhe sigurinë në Europë.

“Kemi qenë dëshmitarë të ndryshimit të kufijve në Europë me aneksimin e Krimesë dhe vënien në diskutim të integritetit territorial të Ukrainës, një çështje bazë e modelit postlufte të Europës. E drejta për t’u shfaqur se kush është më i forti ka shkelur forcën e ligjit”, tha ajo.

“Rusia ka shkelur dhe ende po e shkel ligjin ndërkombëtar: shtetet fqinje papritur nuk janë më vende partnere, por sfera influence”, shtoi ajo, duke nënvizuar se vetëm diplomacia mund të zgjidhë krizat.

Liderët gjermanë kanë pasur historikisht lidhje të ngushta me Rusinë, por opinioni publik ka përkrahur qëndrimin gjithnjë e më të ashpër të Merkelit kundër Moskës, ndërkohë që shumica e gjermanëve mbështesin gjithashtu sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Moska ka bërë të ditur se vendet, të cilat mbështesin sanksionet – veçanërisht Shtetet e Bashkuara, – po përpiqen të diktojnë politikën moskovite dhe akuzon Uashingtonin se po përpiqet t’i imponojë dëshirën e saj Europës për më shumë sanksione ndaj Rusisë.

Top Channel