Partia Demokratike Shqiptare ka kërkuar nga qeveria që urgjentisht të tërheqë nga proçedura propozimin për stemën e re të Maqedonisë dhe të hapë dialog të mirëfilltë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për stemën, e cila do të përfshijë specifikat dhe kërkesat e dy popujve me të mëdhenj në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Nënshtrimi i tërësishëm i BDI-së kundrejt VMRO-së këto ditë kulmoi me propozimin për stemë të re shtetërore nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, që udhëhiqet nga kuadri i BDI-së, Adnan Jashari. Me këtë stemë jo vetëm që nuk bëhet çetnizimi i simboleve shtetërore, por ndodh e kundërta, propozohet një simbol partiak dhe tërësisht një etnik për simbol shtetëror, siç është stema. Duke pasur parasysh rëndësinë e simboleve shtetërore, Partia Demokratike Shqiptare ka si kërkesë parësore çetnizimin e tyre”, deklaroi deputeti Bekim Fazliu.

PDSH-ja opozitare akuzoi partinë e Ali Ahmetit, BDI, që është pjesë e pushtetit në Shkup, se po mbështet të gjitha projektet antishqiptare të partnerit maqedonas në qeveri.

“Zgjedhjet e manipuluara në vazhdimësi nga BDI, me ndihmën e maqedonasve dhe bekimin e ndërkombëtarëve, sollën situatën që të gjitha mekanizmat e vendimmarrjes të jenë në duar të BDI-së dhe nëpërmjet saj, për fat të keq, në duart e maqedonasve. Dhe si pasojë e tërë këtij nënshtrimi të BDI-së po finalizohet edhe ky projekt antishqiptar, i cili do të mbajë vulën e turpit të një strukture të kriminalizuar dhe të korruptuar që e ka emrin BDI”, tha më tej Fazliu.

Akuzave të PDSH-së nuk i janë përgjigjur deputetët e BDI-së, të cilët kanë refuzuar të prononcohen për stemën e re, ndonëse ministrat e BDI-së në kabinetin e Gruevskit, edhe publikisht e kanë mbështetur simbolin e ri të Maqedonisë, me arsyetimin se në të shohin edhe elementë shqiptarë.

Top Channel