Ukraina parapaguan, rifillon furnizimi me gaz pas 6 muajsh

09/12/2014 00:00

E marta ka shënuar rifillimin e furnizimit me gaz të Ukrainës nga Rusia, pas një periudhe ngërçi gjashtëmujor për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimin dhe borxhet e papaguara.

“Ukraina ka nisur të furnizohet sërish me gazin rus, – ka informuar zëdhënësi i monopolit të transportit të gazit në Ukrainë, “Ukrtransgaz”, Maxim Belyavsky. – Vëllimi i importuar është rreth 43,5 milionë metër kub në ditë. Furnizimet vijnë përmes gazsjellësit verior bjellorus në Mozyr, si dhe linjës lindore në Sudzha”, shtoi ai.

Ish-republika sovjetike konsumon mesatarisht rreth 200 milionë metër kub gaz në ditë përgjatë dimrit. Pa gazin rus dhe në mungesë të zëvendësimit të tij me qymyr për shkak të trazirave të separatistëve në zonat lindore, që kanë ndërprerë punimin në minierat e qymyrit, Ukraina është detyruar të ndërmarrë kufizime të gjera të energjisë elektrike.

Duke qenë se marrëdhëniet janë në pikën më të ulët për shkak të luftimeve në lindje të Ukrainës, Rusia ka këmbëngulur që Kievi të bëjë parapagesë për furnizimet e reja përgjatë dimrit, në respektim të marrëveshjes së përkohshme të arritur në tetor.

Ukraina, e rrënuar ekonomikisht dhe pa gjendje “cash” të mjaftueshme, e shtyu sa më shumë të mundej parapagesën, por pas ardhjes së të ftohtit të acartë që i uli ndjeshëm temperaturat, firma shtetërore e energjisë “Naftogaz” transferoi një parapagesë prej 378 milionë dollarësh drejt “Gazprom”-it rus, për të blerë 1 miliard metra kub gaz gjatë muajit dhjetor.

“Gazprom” konfirmoi gjithashtu përmes një deklarate se furnizimi me gaz ka nisur për Ukrainën nga mëngjesi i së martës. Pagesat për gazin ndaj Rusisë dhe përpjekjet për të mbështetur monedhën e tronditur “hryvnia”, kanë detyruar Ukrainën të tërheqë shuma të mëdha nga rezervat valutore, të cilat kanë rënë në minimumin e 10 viteve të fundit.

Arka e varfëruar e Bankës Qendrore të këtij shteti bën të domosdoshëm që Fondi Monetar Ndërkombëtar të hartojë një program shpëtimi prej afro 17 miliardë dollarësh. Një mision i FMN-së ka vizituar Kievit gjatë kësaj të marte, për të nisur një raund të ri bisedimesh me qeverinë e re, e cila është angazhuar se do të ndërmarrë një varg reformash të gjera, përfshi ato në sektorin e gazit, në këmbim të financimit nga ndërkombëtarët.

Top Channel