Bebja 2-muajshe digjet në bark me thikë të nxehtë… për të kaluar ftohjen

09/12/2014 00:00

Një bebe 2-muajshe indiane është djegur me thikë të nxehtë në bark nga një mjek popullor, i cili e përdor këtë praktikë për të shëruar pneumoninë.

Shivani Seheriya ishte ftohur muajin e kaluar dhe nëna e saj e varfër iu drejtua mjekut popullor të fshatit për të gjetur shpëtim pasi një vit më parë ajo kishte humbur vajzën e saj të madhe për shkak të pneumonisë.

Shëruesi i fshatit e dogji 40 herë në bark vogëlushen me majën e një thike të nxehtë, por në vend që të shërohej, gjendja e saj u përkeqësua. Prindërit e dërguan në spital, ku mjekët e vërtetë zbuluan se përveç pneumonisë, vajza kishte një vrimë në zemër.

“Ishte e vështirë të shikoje një bebe që po vuante aq shumë. Ishte komplet e djegur në bark dhe mezi merrte frymë. Është për të ardhur keq që familjet në fshatra besojnë se mund të shërohen duke djegur trupin, por nuk i vë faj pasi nuk janë të informuar mbi mjekësinë”, tha doktori Gobind Singh, i cili shtoi se vogëlushja po merr tashmë ndihmën e specializuar.

E djegura me hekur të nxehtë ose objekte të ndryshme metalike është një praktikë tradicionale në Indi dhe përdoret për të shëruar malarien, meningjitin apo verdhëzën.

Top Channel