Samaras zgjedh ish-Komisionerin e Mjedisit të BE-së për President

09/12/2014 00:00

Kryeministri grek, Antonis Samaras, ka njoftuar kandidatin e tij për Presidencën greke gjatë së martës, në atë që konsiderohet si një bast që, nëse e humbet, do të çojë Greqinë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, e ku sipas të gjitha gjasave të majtët, kundërshtarë të programit të shpëtimit nga Trojka, pritet të vijnë në pushtet.

Samaras e nisi strategjinë e tij “për jetë a vdekje” në orët e pasdites së të hënës, duke afruar me dy muaj nga ç’ishte parashikuar votimin në Parlament për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, edhe pse atij i duhet ende mbështetja e 180 ligjvënësve.

Edhe pse posti i Presidentit është kryesisht ceremonial, Kushtetuta greke kërkon që zgjedhjet parlamentare të mbahen menjëherë nëse ligjvënësit dështojnë të miratojnë kandidatin e qeverisë për këtë post. Tregjet financiare reaguan keq ndaj kësaj pasigurie, teksa aksionet dhe obligacionet greke ranë ndjeshëm për shkak të planit për të votuar për Presidentin më 17 dhjetor.

Rreziqet janë të larta, thonë analistët. Kjo pasi sondazhet tregojnë se partia e radikalëve të majtë “Syriza”, e cila ka premtuar se do të heqë dorë nga “litari i shpëtimit” të Trojkës së përbërë nga huadhënësit BE-FMN, mund të fitojë nëse zgjedhjet kombëtare mbahen tani.

Edhe pse “Syriza” mund të vuajë në gjetjen e partnerëve për koalicion, në mënyrë që të formojë një qeveri antitrojkë, zgjedhjet e parakohshme mund ta rrezikojnë Greqinë të bjerë në një kapitull të ri të pasigurisë, pikërisht tani që sapo ka lënë pas krahëve më të keqen e krizës së viteve të fundit.

Samaras shprehu optimizmin e tij se kandidati i qeverisë, i cili është ish-Komisioneri i Mjedisit të Bashkimit Europian, Stavros Dimas, do të marrë miratimin e nevojshëm për t’u bërë President. Nëse ndodh kështu, Samaras do të fshinte edhe këtë pengesë të radhës, e cila i është vënë para qeverisë së tij prej muajsh të tërë.

Atëherë, Samaras do të ishte i lirë të përfundonte termat e diskutueshme mbi një dalje më të shpejtë nga programi i shpëtimit, i cili është kundërshtuar gjerësisht nga grekët, për shkak të kërkesave të ashpra për kursim, pa pasur frikë për dështimin e tij politik.

“Kur Parlamenti aktual të zgjedhë Presidentin e ri në fund të këtij muaji, retë do të jenë larguar dhe vendi do të jetë gati për të hyrë zyrtarisht në epokën postkrize”, tha kryeministri konservator në një adresim televiziv përpara kombit të tij.

Votimi presidencial do të zhvillohet me tri raunde, duke nisur më 17 dhjetor, ndërsa dy të tjerat priten më 23 dhe 29 dhjetor. Qeveria është thuajse e sigurt që do të dështojë në dy raundet e para, kur i nevojitet mbështetja e 200 deputetëve, ndërsa në të tretën do të mjaftohet edhe me 180 deputetë.

Top Channel