Lirohet pengu i fundit francez në duart e ekstremistëve

09/12/2014 00:00

Pengu i fundit francez që mbahej nga militantët islamikë është liruar pas tre vjetësh, ka njoftuar presidenti francez, Francois Hollande.

Serge Lazarevic ishte marrë peng në Mali nëntorin e vitit 2011, bashkë me kolegun e tij Philippe Verdon.

Militantët e Al Kaedës në Magrebin Islamik vranë zotin Verdon vitin e kaluar në shenjë hakmarrjeje ndaj ndërhyrjes ushtarake të Francës në Mali.

Presidenti Hollande deklaroi se tani nuk ka më pengje franceze në pritje që të lirohen. “Nuk ka më pengje franceze në asnjë vend të botës”, njoftoi Hollande.

Sipas tij, Lazarevic është në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht kushteve të rënda ku u mbajt gjatë këtyre tre vjetëve dhe ndodhet në shtetin fqinj të Nigerit, prej nga do të kthehet në Francë.

Al Kaeda e Magrebit Islamik mori peng një numër shtetasish perëndimorë përpara se Parisi zyrtar të angazhonte trupat ushtarake kundër këtij grupi në janar të vitit 2013.

Pikërisht aty, në një moment të paktën 14 shtetas francezë u morën peng nga ekstremistët islamikë në Afrikën Perëndimore.

Presidenti francez falenderoi autoritetet në Niger dhe Mali, të cilat sipas tij dhanë kontributin e tyre që të arrihej kjo zgjidhje.

Mbi mënyrën e lirimit të Lazarevic nuk janë publikuar detaje, por qeveria franceze vazhdimisht ka mohuar që të ketë paguar shpërblime në rastet e mëparshme.

Gjatë mbajtjes peng, Lazarevic u shfaq në disa video të degës së Al Kaedës dhe në disa raste shkaktoi tek autoritetet shqetësim për gjendjen e tij shëndetësore, pasi kërkonte lirimin në mënyrë të dëshpëruar.

Top Channel