Raporti i Senatit: CIA, tortura brutale dhe poshtëruese

09/12/2014 00:00

Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA, ka përdorur taktika “brutale” të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm në vitet pas sulmeve të 11 shtatorit, thotë raporti i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Përmbledhja e Komisionit të Shërbimeve Sekrete në Senatin amerikan thotë gjithashtu se, CIA keqinformoi amerikanët mbi efikasitetin e zgjerimit të procesit të marrjes në pyetje.

“Marrjet në pyetje u keqmenaxhuan dhe të dhënat e dala prej tyre nuk kishin besueshmëri”, thotë gjithashtu dokumenti zyrtar, i prezantuar nga senatorja demokrate Dianne Feinstein.

Raporti përmban mbi 6 mijë faqe, me sasi të mëdha provash, por mbetet i klasifikuar dhe vetëm 480 faqe të tij po publikohen. Ppublikimi ishte shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve në Uashington mbi atë se çfarë duhej dhe nuk duhej të publikohej.

Në një deklaratë të sajën, CIA hodhi poshtë akuzat se torturat kanë qenë të kota, duke thënë se marrjet në pyetje ndihmuan në shpëtimin e shumë jetëve.

“Informacioni i mbledhur nga programi ishte kritik për të kuptuar ideologjinë e Al Kaedës dhe vazhdon të informojë edhe sot shërbimin tonë kundër terrorizmit”, deklaroi drejtori i CIA-s, John Brennan në një komunikatë.

Megjithatë, CIA pranoi se gjatë zbatimit të programit ka pasur gabime, sidomos në fillesat e tij kur agjencia nuk ishte ende e papërgatitur për shkallën e operacioneve.

Feinstein, kryetare e Komitetit për Shërbimet Inteligjente, deklaroi se veprimet e CIA-s lënë një njollë turpi në historinë e Shteteve të Bashkuara.

“Publikimi i kësaj përmbledhjeje prej rreth 500 faqesh nuk mund ta heqë atë njollë, por i tregon popullit tonë dhe gjithë botës se Amerika është aq e rritur sa të pranojë kur gabon dhe që të mësojë nga gabimet e saj”, vijoi Feinstein.

Presidenti Obama ndaloi programin e marrjes në pyetje nga CIA kur mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2009. Ai tha se, në këndvështrimin e tij taktikat e marrjes në pyetje ishin kthyer në tortura.

Gjatë presidencës së George W. Bush, operacioni i CIA-s kundër Al Kaedës, i njohur brenda administratës si “Përkthim, Burgim dhe Marrje në pyetje”, përfshiu të paktën 100 të dyshuar për terrorizëm të mbajtur në burgje sekrete jashtë Shteteve të Bashkuara.

Ata u morën në pyetje me teknika si ajo e simulimit të mbytjes me ujë, rrahje, poshtërim, ekspozim në të ftohtë dhe mohim të gjumit.

Top Channel