Ndërkombëtarët përshëndesin qeverinë e Kosovës

09/12/2014 00:00

Të parët që uruan kryeminsitrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa, ishin përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve evropiane të akredituar në Prishtinë.

“Zyra e BE-së dhe krerët e misioneve diplomatike të vendeve anëtare mirëpresin konstituimin e Parlamentit dhe urojnë kryeministrin Mustafa për zgjedhjen në krye të qeverisë”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Në njoftimin në fjalë vlerësohet se, para Kosovës ndodhen shumë sfida, nga realizimi i reformave politike e ekonomike, deri tek zhvillimi social e ekonomik dhe punësimi.

“Nga ripërtëritja e përkushtimit në dialogun me Serbinë, deri tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, bashkëpunimi me EULEX-in dhe krijimi i Gjykatës Speciale”, vijon njoftimi.

Sipas BE-së, qytetetarët e Kosovës, sikurse komuniteti ndërkombëtar presin që qeveria dhe institucionet e reja të përballen me këto sfida me vendosmëri.

“Të gjitha këto prioritete janë jetike për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën evropiane të saj. BE dhe shtetet anëtare janë të gatshme për të mbështetur Kuvendin dhe Qeverinë në punën e tyre”, përfundon komunikata.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, përmes ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, kanë përshëndetur formimin e institucioneve dhe votimin e qeverisë.

Po ashtu, kryetari i Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul vlerësoi me nota pozitive votimin e qeverisë së udhëhequr nga zoti Mustafa, si alternativën më të mirë për Kosovën.

“Kryeministri Mustafa dhe partia e tij kanë marrë përsipër këtë përgjegjësi në një kohë shumë të vështirë dhe po e bëjnë këtë me qëllim që t’u shërbejnë të gjithë kosovarëve dhe interesave të përgjithshme të Kosovës e jo vetëm atyre të partisë”, tha Joseph Daul në reagimin e tij.

Top Channel